Kryeministri Albin Kurti i quajti të pamenduara mirë propozimet për heqje apo ulje të TVSH-së dhe akcizës për naftën, ndërsa u pyet për çmimet e larta në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.
Ai tha se ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Mimoza Kusari “i ka vazhduar ato masat e ish-ministres Rozeta Hajdari”.
“Ju e dini që e gjithë nafta që është në Kosovë importohet. Ne jo vetëm që s’kemi burime të naftës, por ne nuk kemi as rafineri të naftës. Pra, ne as nuk përpunojmë naftë, përveçse nuk kemi naftë. Dhe në këtë mënyrë e marrim komplet koston e inflacionit në import. Çmimet e larta që janë jashtë, bëhen çmime ndoshta edhe më të larta këtu brenda. Ministrja Mimoza Kusari i ka vazhduar ato masat e ish-ministres Rozeta Hajdari dhe ajo është edhe në komunikim të vazhdueshëm me ekspertët”, tha Kurti.
“Bindja ime e fuqishme është që këto propozimet për heqje të TVSH-së e të akcizës nuk janë mirë të menduara dhe nuk bazohen në përvoja të suksesshme apo në dije ekonomike”, shtoi ai.
Kurti tha se “është shumë e rëndësishme që të kemi kujdes, të mos i shërbejmë super profitit të ndokujt në vend se t’ua zbusim barrën qytetarëve”.
Ai tha se edhe SHBA-ja po e vuan koston e luftës në Lindjen e Mesme, ndërsa tha se po të kishte Kosova një port detar, kostoja do të ishte më e përballueshme.
“Pra, të gjitha vendet e Evropës, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës – shteti më i fuqishëm në botë – është duke e vuajtur koston e luftës që po zhvillohet në Iran e te Irani, në Ngushticën e Hormuzit dhe sikur ne të kishim port detar, e sikur ne të kishim një vend të madh grumbullimi të naftës, atëherë fluktuimet në tregjet botërore nuk do të përcilleshin kaq shpejt, siç është rasti tani”, tha ai.















