Një veprim i papërgjegjshëm që rrezikoi sigurinë publike ka përfunduar me pranga për dy të rinj në Prishtinë.
Siç mëson Sinjali, ngjarja është regjistruar në orët e para të mëngjesit të 31 marsit, kur në rrugën “Tring Ismajli”, dy persona kanë ndezur fishekzjarrë, duke krijuar rrezik për kalimtarët dhe zonën përreth.
Por kjo nuk ka qenë e gjitha. Rreth 30 minuta më vonë, të njëjtit kanë vazhduar “shfaqjen” e tyre edhe në sheshin e qytetit, pranë hotelit “Swiss”, duke ndezur sërish mjete piroteknike në një nga zonat më të frekuentuara.
Policia ka ndërhyrë menjëherë, duke arrestuar Edon Dacin dhe Ijad Shitin, të cilët gjatë marrjes në pyetje kanë pranuar veprimin e tyre.
Me urdhër të prokurores kujdestare, rasti është klasifikuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa të dy janë dërguar në ndalim për 48 orë.
Rasti është në vijim, ndërsa autoritetet paralajmërojnë masa të rrepta për çdo veprim që cenon sigurinë publike.















