Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka dekoruar me Medalje Presidenciale të Meritave ekipin e Kombëtares në futboll.
Osmani shkruan se përkundër rezultatit të mbrëmshëm, ata i dhanë gjithë kombit tonë diçka edhe më të vlefshme, shpresën.
Për këtë përfaqësim të denjë, Osmani thekson se mirënjohja për ekipin dardan do të rrojë përgjithmonë.
“Ekipi i Kombëtares sonë në futboll, me zemër dhe shpirt të pathyeshëm, e ngritën Kosovën në majat e krenarisë, ndaj sot me Medaljen Presidenciale të Meritave u kurorëzuan me nderimin dhe respektin e një populli që është dhe do të jetë gjithnjë krenar me ta. Përkundër rezultatit të mbrëmshëm, ata i dhanë gjithë kombit tonë diçka edhe më të vlefshme: shpresë. Për këtë përfaqësim të denjë, mirënjohja jonë për ekipin dardan do të rrojë përgjithmonë”, shkruan presidentja Osmani.
Dekorimi për futbollistët e Kosovës është bërë një ditë pas ndeshjes me Turqinë, ku Kosova pësoi humbje me rezultat 0 me 1.














