Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka vënë në pah deklarimet kundërthënëse të kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, lidhur me situatën e fundit në vend.
Molliqaj ka komentuar deklarimet e ndryshme të Abdixhikut, i cili para dekretit të presidentes për shpërndarje të Kuvendit thotë se vendi s’duhet të shkojë në zgjedhje, e pas tij thotë që të caktohet data e zgjedhjeve. Ndërkaq dje, Abdixhiku tha se duhet të gjendet një zgjidhje për presidentin, në mënyrë që vendi të mos shkojë në zgjedhje.
Këto lëvizje në qëndrime të Abdixhikut, Molliqaj i ka parë si tendencë për të siguruar një post shtetëror për vete, apo siç u shpreh kreu i PSD’së, eventualisht ndonjë edhe për vartësit e tij.
Deklarimi i Molliqajt:
“A ka Lumir Abdixhiku parime apo vetëm interesa të ngushta karrieriste? Lëvizja e tij përbrenda një mujore me qëndrime të ndryshme më shumë të len me kuptu që të gjitha qëndrimet e këtij kryetari të LDK-së janë agjendë e tij personale. Para dates 4 mars ishte që nuk të ketë zgjedhje. Pastaj me datën 5 mars, menjëherë u bë për zgjedhje, tha vendi duhet të shkohet në zgjedhje. Pas vendimit të Gjykatës që e anuloi këtë vendim, prapë doli me deklarimin tjetër“.
“Ajo çka Abdixhiku po kërkon është një pozicion shtetëror për vete dhe eventualisht për vartësit e vetë. Me një pozicion të tillë opozitar, kjo në fakt nuk është opozitë, kjo është një grup politik që synon të ketë hise në pushtet“.














