Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

Hashim Thaçi për Frankfurter Allgemeine Zeitung: “Si qytetar i lirë i Kosovës, do të vazhdoj t’i shërbej shtetit”

13/04/2026 - 13:39
në Lajme
A A
Hashim Thaçi për Frankfurter Allgemeine Zeitung: “Si qytetar i lirë i Kosovës, do të vazhdoj t’i shërbej shtetit”
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Nga burgu, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dhënë një intervistë për gazetën prestigjioze gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung.

Thaçi ka konfirmuar se e konsideron të përfunduar garën politike, por jo edhe angazhimin e tij publik në të ardhmen. “Si qytetar i lirë do të vazhdoj t’i shërbej vendit”, ka thënë ai, duke shprehur mirënjohje për mbështetjen që ka marrë nga qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë gjatë karrierës së tij.

Ndër të tjera Thaçi ka folur edhe për luftën e viteve 1998–1999, duke theksuar se nuk duhet të barazohen krimet eventuale të individëve me veprimet e forcave serbe nën regjimin e Slobodan Milosevic. Ai ka paralajmëruar për rrezikun e shtrembërimit të historisë, duke theksuar se lufta e Kosovës ishte një luftë për mbijetesë dhe liri.

Duke folur për ndërhyrjen e NATO në vitin 1999, Thaçi e ka cilësuar atë si të drejtë dhe të bazuar në vlera perëndimore, duke shtuar se pa këtë ndërhyrje dhe rezistencën e popullit, Kosova nuk do të ekzistonte sot.

Në planin politik, ai ka theksuar se një marrëveshje e qëndrueshme me Serbinë duhet të bazohet në njohje reciproke dhe dialog, ndërsa për situatën aktuale në Kosovë ka bërë thirrje që interesat e qytetarëve të vendosen mbi ato partiake.

Intervista e plotë:

FAZ: Zoti Thaçi, fillimisht pranoni ngushëllimet e mia të vonuara për vdekjen e babait tuaj. Supozoj se kjo humbje duhet të ketë qenë veçanërisht e rëndë, pasi nuk keni mundur të merrni pjesë në varrimin e tij. Në një nga intervistat tuaja të mëparshme keni thënë se nuk keni ndërmend të riktheheni në politikë, nëse shpalleni i pafajshëm dhe ktheheni si njeri i lirë në Kosovë. A është e vërtetë kjo? A ka përfunduar përfundimisht jeta politike e Hashim Thaçit?

Thaçi: I vlerësoj sinqerisht fjalët tuaja të mira për vdekjen e babait tim. Ishte një humbje e madhe për familjen time dhe për mua personalisht. Tani ndodhem në vitin e gjashtë të paraburgimit dhe ende pres një vendim gjyqësor. Fakti që nuk munda të marr pjesë në varrimin e babait tim dhe t’i jap lamtumirën e fundit më ka lënduar thellë, një dhimbje që do ta mbaj për pjesën tjetër të jetës. Ju pyesni nëse jeta ime politike ka përfunduar. Unë e shoh garën politike të përfunduar, por jo jetën time politike. Si qytetar i lirë i Kosovës do të vazhdoj t’i shërbej publikut dhe shtetit edhe në të ardhmen. Përulem para popullit të Kosovës, i cili për dy dekada më ka dhënë besim, respekt dhe mbështetje për vizionin tim politik. Shpreh mirënjohje të thellë edhe për partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët kanë bashkëpunuar ngushtë me mua për të realizuar vullnetin e qytetarëve për liri dhe pavarësi. Ndihem i përmbushur në karrierën time politike.

FAZ: Ekipi juaj mbrojtës argumenton se brenda UÇK-së nuk ka pasur një zinxhir të qartë komandimi, çka do të thotë se ju dhe të bashkëakuzuarit tuaj nuk mund të mbani përgjegjësi për krimet e kryera në terren, pasi thjesht nuk keni pasur kontroll mbi to. Disa dëshmitarë në procesin tuaj e kanë mbështetur këtë pikëpamje. Nga ana tjetër, as avokatët tuaj nuk e mohojnë se disa anëtarë të UÇK-së kanë kryer krime lufte. Nëse këto krime kanë ndodhur, por nuk ka pasur përgjegjësi komanduese – kush duhet të dalë para drejtësisë në vendin tuaj dhe të bashkëakuzuarve tuaj?

Thaçi: Unë mbështes plotësisht argumentet që ekipi im mbrojtës ka paraqitur në gjykatë pas konsultimeve me mua. Dhomat e Specializuara për Kosovën (Kosovo Specialist Chambers – KSC) janë në fakt mekanizmi i katërt i udhëhequr nga bashkësia ndërkombëtare, pas ICTY-së (Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte për ish-Jugosllavinë), si dhe gjykatave të UNMIK-ut (Misioni i Përkohshëm i OKB-së në Kosovë) dhe EULEX-it (Misioni i BE-së për sundimin e ligjit).

Secila prej këtyre institucioneve ka hetuar gjerësisht ngjarjet e viteve 1998–1999 në Kosovë dhe ka përcaktuar kush mban përgjegjësi për abuzimet dhe kush jo. Qëllimi i themelimit të KSC-së ishte hetimi i pretendimeve nga raporti i Dick Marty-t, veçanërisht akuzat për trafikim organesh – pretendime që kishin origjinë nga përfaqësues rusë në Këshillin e Evropës.

Kjo ishte ajo që iu paraqit Kosovës nga BE-ja dhe për të cilën votoi Parlamenti i Kosovës kur vendosi t’i bashkohej krijimit të këtij tribunali.

Në të kundërt, aktakuza jonë dhe rasti i Prokurorisë së Specializuar nuk përmbajnë asgjë për akuza të tilla. As edhe një përmendje. Pretendimet ishin të pavërteta dhe duket se KSC i konsideroi si të pavlefshme për hetim të mëtejshëm. Edhe gjenerali Clark, në dëshminë e tij, i quajti akuzat e raportit të Dick Marty-t një fushatë dezinformimi ruse.

Siç dihet, rusët më vonë kanë përdorur akuza të ngjashme kundër Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy. Para disa kohësh më vizitoi profesori Daniel Serwer në Hagë.

Më pas ai shkroi se edhe ai kishte mbështetur krijimin e një tribunali për të trajtuar raportin e Dick Marty-t dhe se situata kishte diçka nga një “kurth”: Parlamenti i Kosovës besonte, ashtu si ai dhe unë, se fokusi i gjykatës do të ishte kryesisht tek akuzat për trafikim organesh. Ai shtoi se gjykata të tilla duhet të sjellin drejtësi, jo ndëshkim mbi bazën e mashtrimit, dhe se asnjë lëvizje çlirimtare në të ardhmen nuk do të pranonte një gjykatë të tillë.

Shpresa jonë është që ky proces të kontribuojë për të vërtetën, drejtësinë dhe dinjitetin. Jam i bindur se gjyqtarët e kanë dëgjuar dhe parë të vërtetën. Pyetja e vetme që mbetet është çfarë do të bëjnë me të.

FAZ: Edhe nëse disa anëtarë të UÇK-së kanë kryer krime, shkalla e këtyre krimeve nuk mund të krahasohet me atë që kanë kryer forcat serbe të sigurisë dhe paramilitarët në vitet 1998/99 në Kosovë. A ekziston rreziku që procesi ndaj jush dhe të bashkëakuzuarve tuaj të shtrembërojë tablonë historike të asaj që ndodhi në vitet ’90 në Kosovë, duke krijuar tek vëzhguesit sipërfaqësorë përshtypjen se të dyja palët kanë kryer krime me të njëjtën peshë?

Thaçi: Kjo është një shqetësim i arsyeshëm, i ndarë nga shumica dërrmuese e njerëzve në Kosovë dhe më gjerë. Ngjarjet e viteve ’90 janë të dokumentuara mirë. Kjo nuk është çështje interpretimi – është pjesë e fakteve të regjistruara nga dokumente diplomatike, organizata ndërkombëtare, tribunale dhe vëzhgues në terren.

Të ashtuquajturat “prova” të fabrikuara gjatë epokës së Miloseviç-it nuk duhet të përdoren në asnjë gjykatë apo të trajtohen si fakte. Shumë nga ato që u fabrikuan kishin për qëllim ndikimin, jo të vërtetën. Nëse kjo pranohet, atëherë nuk do të ishte çudi që në të ardhmen pretendime të ngjashme të përdoren kundër Ukrainës dhe udhëheqjes së saj. Në të kundërt, Kosova nuk ka sulmuar asnjëherë territor serb. Duhet të kemi parasysh se populli i Kosovës luftonte kundër shtypjes – për të drejtën themelore për të ekzistuar. Ishte një luftë për mbijetesë si individë dhe si popull. Ky proces nuk duhet të përdoret për të rishkruar historinë dhe për të minimizuar vuajtjen reale të një populli.

FAZ: Procesi ndaj jush dhe të bashkëakuzuarve tuaj ka rëndësi të madhe edhe për Perëndimin. Nëse shpalleni fajtor, kjo do të nënkuptonte se Perëndimi (NATO) gjatë bombardimeve të vitit 1999 ka bashkëpunuar me një kriminel lufte. A ndjeni ndonjë nervozizëm tek aktorë të caktuar në Perëndim për një rezultat të tillë të mundshëm? (Shënim personal: Sipas mendimit tim, ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 ishte e justifikuar dhe e nevojshme – madje erdhi me vonesë.) Madeleine Albright shkruan në kujtimet e saj se në Rambuje nuk mund të merrnit vendime i vetëm, por duhej të konsultoheshit vazhdimisht me UÇK-në në Kosovë. A do ta përdorni këtë argument në mbrojtjen tuaj?

Thaçi: Ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 u udhëhoq nga vlerat thelbësore perëndimore: liria, drejtësia, të drejtat e njeriut dhe mbrojtja e jetës njerëzore.

NATO erdhi në ndihmën tonë sepse e kuptoi kush ishim, për çfarë qëndronim dhe çfarë po përjetonim nën regjimin e Milosevic-it.

Në konferencën e Rambujesë në vitin 1999, delegacioni ynë pranoi paqen, ndërsa Serbia zgjodhi luftën dhe spastrimin etnik. Vendimi ynë pasqyroi përkushtimin ndaj dialogut dhe bashkëjetesës paqësore. Më vjen keq që figura si Madeleine Albright, Richard Holbrooke dhe Robert Dole nuk janë më gjallë – do të kishin qenë dëshmitarë të rëndësishëm. Ata e kuptonin kontekstin dhe qëllimet e popullit të Kosovës. Serbia sulmoi Kosovën dhe populli i Kosovës rezistoi. Pa këtë rezistencë dhe pa ndërhyrjen e NATO-s, Kosova nuk do të ekzistonte sot.

FAZ: Ju nuk keni qenë aktiv në politikë prej disa vitesh. Në një intervistë të mëparshme thatë se një paqe e qëndrueshme me Serbinë duhet të arrihet përmes njohjes reciproke. A mund të shpjegoni idenë e shkëmbimit të territoreve? A ishte ndonjëherë kjo temë konkrete mes jush dhe Aleksandar Vuçiç? Dhe a është e vërtetë që Angela Merkel ishte kundër kësaj ideje?

Thaçi: Qëllimi im kryesor ishte sigurimi i një paqeje të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë – një paqe që do t’u mundësonte të dyja vendeve të ecin përpara dhe Kosovës t’i hapet rruga për integrim të plotë ndërkombëtar. Do të ishte e pafalshme të lihen çështje të pazgjidhura për brezat e ardhshëm. Angazhimi im ka qenë gjithmonë për zgjidhje diplomatike, në përputhje me kushtetutën e Kosovës dhe në bashkëpunim me aleatët tanë strategjikë. Marrëdhëniet e mira me BE-në, SHBA-në dhe Perëndimin janë në interesin kombëtar të Kosovës.

FAZ: A do t’i këshillonit PDK-së të bashkëpunojë me Vetëvendosjen e Albin Kurtit për të kapërcyer bllokadën aktuale?

Thaçi: Prioriteti im është procesi ligjor që po kaloj aktualisht. Megjithatë, mund të them se në Kosovë gjithmonë duhet të vendosen interesat e qytetarëve mbi ato partiake.

FAZ: Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe i dërguari i tij i posaçëm, Richard Grenell, kanë shprehur qëndrime shumë negative ndaj prokurorit Jack Smith, i cili ka ngritur akuza si ndaj jush, ashtu edhe ndaj Trumpit. A besoni se Smith është thjesht një instrument politik në një lojë më të madhe?

Thaçi: Në këtë moment mund të flas vetëm për një parim që e konsideroj universal: e drejta nuk duhet të përdoret kurrë si instrument politik. Kosova e ka parë gjithmonë Perëndimin si model për demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Këto janë standardet që përpiqemi t’i realizojmë edhe në shoqërinë tonë.

JU REKOMANDOJMË

Isufi pasi u pa në protestë: Në Tiranë isha me nipa për qef, edhe si gazetar

Isufi pasi u pa në protestë: Në Tiranë isha me nipa për qef, edhe si gazetar
18/10/2026 - 23:16

Venhar Isufi mohoi sërish të jetë pjesë e kabinetit të Armend Mujës “qe një muaj e gjysmë.” Ai doli me reagim ndaj gazetës Nacionale pas raportimit se ishte...

Më shumëDetails

Nesër seancë gjyqësore për rastin e Ibër-Lepencit

Nesër seancë gjyqësore për rastin e Ibër-Lepencit
18/10/2026 - 23:06

Të hënën, në orën 13:15, në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë, do të mbahet seanca gjyqësore lidhur me rastin e sulmit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit i cili...

Më shumëDetails

Një zëdhënës i qeverisë Kurti kapet në flagrancë në protestë në Tiranë

Një zëdhënës i qeverisë Kurti kapet në flagrancë në protestë në Tiranë
18/10/2026 - 22:39

Kamerat e “Euronews Albania” kanë kapur në flagrancë hiç më pak se një zëdhënës të Qeverisë së Albin Kurtit në protestat në Tiranë. Aty shihet tek kalon Venhar Isufi,...

Më shumëDetails

Ia qëllon me pushkë qenin që po ruante bagëtitë në Skenderaj – Policia bastis shtëpinë e fqinjit, gjen armë artizanale e 25 fishekë

Ia qëllon me pushkë qenin që po ruante bagëtitë në Skenderaj – Policia bastis shtëpinë e fqinjit, gjen armë artizanale e 25 fishekë
18/10/2026 - 22:02

Një incident i pazakontë mes fqinjëve ka ndodhur në fshatin Rakinicë të Skenderajt, ku një qytetar ka denoncuar se fqinji i tij kishte shtënë me armë të gjatë...

Më shumëDetails

RENEA e merr në mbrojtje objektin e Kryeministrisë pas përplasjeve mes policisë dhe protestuesve

RENEA e merr në mbrojtje objektin e Kryeministrisë pas përplasjeve mes policisë dhe protestuesve
18/10/2026 - 21:33

Nuk ka zgjatur shumë qetësia para Kryeministrisë në Tiranë. Protestuesit janë rikthyer sërish në bulevard dhe kanë nisur përplasjet me policinë. Ndërkohë, policisë i ka ardhur në ndihmë...

Më shumëDetails

Pamje dramatike në Komisariatin nr.3, punonjës policie të shtrirë në tokë- disa të plagosur

Pamje dramatike në Komisariatin nr.3, punonjës policie të shtrirë në tokë- disa të plagosur
18/10/2026 - 20:57

Situata në kryeqytet është tensionuar, pasi disa ambiente të Komisariatit nr. 3 në Tiranë janë përfshirë nga flakët gjatë protestës. Sipas raportimeve të Euronews Albania, disa efektivë policie...

Më shumëDetails

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • Arrestimi për kontrabandim të barnave të falsifikuara: Ky është personi që u vu në pranga mbrëmë në Fushë Kosovë

    Arrestimi për kontrabandim të barnave të falsifikuara: Ky është personi që u vu në pranga mbrëmë në Fushë Kosovë

    447 Shpërndaje
    Shpërndaje 179 Tweet 112
  • Pritet largimi i Bedri Hamzës nga drejtimi i PDK-së, ja kush do të jetë U.D i kryetarit

    141 Shpërndaje
    Shpërndaje 56 Tweet 35
  • Pas ankesës së pacientit për rezultatet e analizave, Inspektorati zbulon një “mal” me antibiotikë të skaduar në poliklinikën “Elita Plus”

    134 Shpërndaje
    Shpërndaje 54 Tweet 34
  • Vazhdon konflikti i Elshanëve dhe Kelmendëve, therje me thika sot në qendër të Pejës

    121 Shpërndaje
    Shpërndaje 48 Tweet 30
  • “Arrestime të zyrtarëve” – Kryeprokuroria thyen heshtjen, reagon pas raportimeve që shkaktuan konfuzion në publik

    92 Shpërndaje
    Shpërndaje 37 Tweet 23

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë