Deputeti i LVV-së, Mefail Bajqinovci, ka thënë se opozita duhet të reflektojë për zgjedhjen e presidentit, pasi nuk mjaftojnë vetëm takimet.
Ai në një intervistë për Gazeta Blic, tha se opozita s’ka interes ta zgjedh presidentin dhe po kërkon zgjedhje të reja, të cilat sipas tij nuk duhet të ndodhin.
“Nuk është e bollshme vetëm që të ketë takime, mendoj se duhet të ketë reflektim nga opozita, vullneti e dëshira. Një pjesë e opozitës s’ka interes që të zgjedhet presidenti dhe tërë kohën thonë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje, e po ashtu edhe disa analistë që kanë qenë zv/ministra apo deputetë të opozitës thonë kështu, pra interesi i opozitës nuk është që të votohet presidenti por unë mendoj se vendi nuk duhet të shkojë në zgjedhje, këtë e ka bërë të qartë edhe kryeministri Kurti, edhe VV, që vendi duhet ta ketë presidentin dhe duhet të ketë reflektim nga opozita që të mos shkojmë në zgjedhje çdo 4-5 muaj”, është shprehur ai.
Sipas deputetit, opozita duhet konkretisht t’i bëjë publik emrat për kandidatë për president, ashtu si VV.
“Konkretisht, siç e ka bërë të qartë kryeministri Kurti, opozita duhet ta bëjë publik emrin për kandidat për president. Që disa herë në publik kryeministri Kurti e kërkon emrin, ndërsa që opozita nuk e publikon. Kur diskuton me partnerë për të votuar një president, duhet ditur dhe emrat, si nga pala jonë, edhe nga pala tjetër, nga pala jonë tashmë dihen, i kemi bërë publikë dhe i kemi dhënë nënshkrimet por opozita heziton që t’i jep emrat. Opozita nuk i jep emrat, nuk reflekton, andaj e kemi këtë situatë dhe unë po besoj që në të ardhmen, që nga nesër e tutja, ndoshta do të kemi edhe nga opozita emra të caktuar që do t’i propozojnë për president dhe të shohim nëse do të ketë marrëveshje mes VV-së dhe partive tjera”, ka deklaruar Mefail Bajqinovci./Gazeta Blic/












