Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar masakrën e Mejës, duke e cilësuar atë si kryeqendër të dhimbjes dhe simbol të sakrificës së familjeve të viktimave.
Ajo ka theksuar dhimbjen e nënave, baballarëve dhe familjarëve që vazhdojnë të mbajnë amanetin e të rënëve dhe të jetojnë me kujtimin e tyre.
Osmani ka bërë thirrje që kujtesa për martirët e Mejës të shërbejë si udhërrëfyes për një të ardhme të denjë për sakrificën e tyre, duke u shprehur “lavdi e përjetshme martirëve”.
Postimi:
Nënat të forta si guri por me dhimbje që përvëlon, baballarët me zemra të thyera por me qëndrim stoik, motrat që jetojnë me dhimbjen e pafund të humbjes së vëllezërve, vëllezërit, nipërit dhe mbesat që e çojnë përpara amanetin e të rënëve.
Kjo është Meja! Kryeqendra e dhimbjes, por edhe një kujtesë që duhet të shërbejë si udhërrëfyes për rrugën përpara, një rrugë që duhet të jetë e denjë për sakrificën e martirëve dhe dëshmorëve.
Lavdi e përjetshme martirëve të Mejës. Gjaku i tyre u bëftë dritë e përjetshme e lirisë.













