Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri, ka bërë një reagim pasi shkoi tek zyret e LDK’së në Kuvend për t’ua kërkuar 15 nënshkrimet për kandidatin e tyre për president.
Bahtiri tha se këtë veprim e bëri me një konsultim paraprak me kryeministrin Albin Kurti, duke pretenduar se LDK “po luan me popullin”, shkruan Insajderi.
“Me konsultim paraprak me kryeminstrin Kurti, shkova në vendin ku po mbahej konferenca për shtyp e LDK-së që t’i kërkoj nënshkrimet në mënyrë që sa më shpejt të gjejmë zgjidhjen për çështjen e Presidentes. Nëse përnjemend i kanë ato nënshkrime, le t’i japin, e mos t’i mbajnë “në ajër”, mos të luajnë me popullin e Kosovës. Mjaft është mjaft!”, deklaroi Bahtiri.
“Ne po bëjmë të pamunduren që ta zgjedhim Presidenten sonte, ndërkohë që ata bëjnë teatër, me një letër nënshkrimesh në të cilën figuron data 25 prill e jo 27 prill, dhe në të cilën nuk ka as emër kandidati, as vule, e as protokollim. Ky popull nuk është analfabet. Sheh, din dhe kupton. Ndërsa këtë opozitë, si çdoherë, do ta ndëshkon”, tha më tej ai.














