Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë kanë arritur dakordim që në zgjedhjet e 7 qershorit të garojnë së bashku me Vjosa Osmanin.
Abdixhiku pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së para mediave tha se për bashkëpunimin me Osmanin u përkrah nga anëtarët.
“Me votim në këtë trup, u dakorduam që këtë të shtunë të thërrasim Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së për t’i finalizuar të gjitha çështjet që lidhen me pjesën përgatitore zgjedhore. Pikë e veçantë e këtij takimi ishte edhe natyrisht bashkimi i madh për të cilin po flasim e për të cilin jemi angazhuar. I njoftova edhe kryesinë edhe kryetarët e degëve me procesin e deritanishëm. Votuam dhe u dakorduam që të formalizojmë tash e tutje, në bashkëpunim me Vjosa Osmanin, garimin e përbashkët në zgjedhjet e ardhshme. Po për këtë, më jepni edhe disa ditë t’i finalizoj diskutimet edhe me zonjën Osmani, për të përfunduar në një votim formal në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm. Pra, kishte dakordim për idenë e bashkimit, kishte dakordim për garim të përbashkët, kishte dakordim për shumë gjëra që i kemi diskutuar deri më tani dhe në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm do t’i formalizojmë këto çështje në detaje”, tha ai.
Abdixhiku mohoi se Osmani ka pasur kushte. Ai thotë se nuk është folur për kushte.
“Është relacioni i kuptimit të nevojës për bashkimin e zgjedhësve brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ky përbashkim nënkupton që ne ndërtojmë relacione mbi mirëbesim. Dhe përderisa kemi mirëbesim dhe kemi vizion të përbashkët, nuk flitet për kushte sepse s’po flasim për relacione kushtëzuese ndaj njëri-tjetrit. Pra shumë raportime kanë qenë të pasakta. I kemi diskutuar unë me të shpesh, por kanë qenë të pasakta. Tani kemi vullnetin e LDK-së për të finalizuar këtë marrëveshje, dhe për të finalizuar një listë të përbashkët. Besoj, më jepni pak kohë që ta finalizojmë zyrtarisht sepse kjo është vetëm qasja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, duhen dy për një marrëveshje”, u shpreh ai.
Abdixhiku tha se nuk Osmani mund të jetë bartëse e listës dhe se është kandidatja më e duhur për presidente.
“Pa asnjë problem. Jo, kjo çështje s’është për mua, dhe besoj që Vjosa Osmani duhet të jetë kandidatja e shkëlqyeshme dhe më e duhura për Presidente të Kosovës. Besoj që populli i Kosovës e dëshiron një gjë të tillë dhe jam i gatshëm që bashkë me kolegët tanë në Lidhjen Demokratike të Kosovës t’ia mundësojmë vetes, popullit të Kosovës, Republikës sonë një kandidaturë të tillë. Prandaj renditja në listë për mua nuk ka fare rëndësi”, thotë tutje ai.













