Bashkim Shaqiri, me pozitë udhëheqëse në Agjencinë Kadastrale, sot ra në pranga pas aksionit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë në bashkëpunim me Krimet Ekonomike.
Gazeta Insajderi raportoi se Shaqiri dyshohet për dallavere me prona, teksa në kërkim gjendet Mejreme Bajrami, e cila ditën e sotme nuk ka qëlluar në vendin e punës.
Bashkim Shaqiri së fundmi është avancuar në pozitë me një vendim të ministres në detyrë të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacollit. Në prill, Pacolli kishte marrë një vendim që kishte emëruar në komisionin për shqyrtimin e ankesave ndaj Zyrave Kadastrale Komunale apo të Agjencisë Kadastrale të Kosovës.
Në përbërje të komisionit, ishin: Demir Hyseni, ekspert për kadastër & GIS, kryetar, Bashkim Shaqiri (personi i arrestuar sot) Udhëheqës divizioni për Hartim dhe Harmonizim të Legjislacionit anëtar dhe Mentor Kasumi u.d. udhëheqës i Divizionit për Matje dhe Rrjeta Gjeodezike, anëtar.
Anëtarët e komisionit kanë mandat një vjeçar, sipas vendimit që ka siguruar Gazeta Insajderi.
Komisioni për shqyrtimin e ankesave ka për detyrë pranimin, shqyrtimin dhe vendosjen lidhur me ankesat kundër vendimeve të zyrave kadastrale komunale apo Agjencisë Kadastrale të Kosovës, në përputhje me Ligjin për Kadastër të Pronës së Paluajtshme. Po ashtu, komisioni mban regjistër për pranimin dhe trajtimin e ankesave, si dhe merr pjesë në mbledhjet për shqyrtimin e tyre, qoftë në formë fizike apo elektronike.
Komisioni gjithashtu shqyrton dhe vlerëson komentet dhe opinionet e marra nga zyrtarët e fushave përkatëse. Në kuadër të procesit të shqyrtimit, ai mban procesverbale për secilën ankesë, cakton zyrtarët përgjegjës për përgatitjen e vendimeve dhe ua përcjell atyre procesverbalet përkatëse. Përveç kësaj, komisioni administron regjistrin e lëndëve të caktuara për zyrtarët përgjegjës.
Ndër përgjegjësitë tjera përfshihet edhe nënshkrimi i vendimeve dhe procesverbaleve të takimeve, si dhe kryerja e detyrave të tjera që lidhen me procesin e shqyrtimit të ankesave dhe vendimmarrjes.
Në arsyetimin e vendimit thuhet se ish-kryesuesja e Komisionit, Edona Kutllovci Durmishi, është transferuar në Zyrën e Kryeministrit, prandaj është shkarkuar nga pozita dhe në vend të saj është emëruar Demir Hyseni si kryesues i ri. Po ashtu, anëtari Faik Kelmendi është caktuar ushtrues detyre i Drejtorit Ekzekutiv në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, ndërsa në vend të tij është emëruar Bashkim Shaqiri.
Në dokument përmendet edhe largimi i anëtarit Naim Nishori nga komisioni për arsye personale, me kërkesë të tij, ndërsa në vend të tij është emëruar Mentor Kasumi. Sipas arsyetimit, këto ndryshime janë bërë për të ruajtur funksionalitetin, objektivitetin dhe efikasitetin e punës së komisionit, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.
Bashkim Shaqiri, i arrestuar edhe më herët për dallavere me prona
Bashkim Shaqiri, bashkë me Mejreme Bajramin, Veton Bytyqit, Zelije Shala dhe Mehdi Bahtirin ishin arrestuar nën dyshimin se se si zyrtarë të Arkivit të Kosovës dhe Agjencisë Kadastrale të Kosovës kishin kryer veprën penale “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”.
Sipas dosjes së Prokurorisë, gjatë vitit 2021 në Prishtinë, Zelije Shala, Mehdi Bahtiri dhe Veton Bytyqi dyshohen se, në bashkëkryerje dhe duke keqpërdorur detyrat zyrtare në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, kanë futur në mënyrë të kundërligjshme në arkiv një aktgjykim të falsifikuar të Gjykatës së Prizrenit të datës 28 prill 1976. Sipas Prokurorisë, dokumenti nuk ishte dorëzuar kurrë zyrtarisht nga gjykata, por megjithatë ishte vulosur nga arkivi pas një kërkese për vërtetim të bërë nga tashmë i ndjeri Florent Kurtolli, sipas autorizimit të Slavica Mikiqit, duke iu dhënë pamje të dokumentit autentik dhe fuqi ligjore.
Tutje, Prokuroria pretendon se dosja e falsifikuar është zhdukur më pas nga arkivi, duke u krijuar mundësi Slavica Mikiqit dhe Venhar Hanës që të aplikojnë për regjistrimin e një prone prej 39 mijë e 201 metrash katrorë në Veternik të Prishtinës, pronë shoqërore e ish-RTP-së nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, në emër të Mikiqit. Për këto veprime, Zelije Shala, Mehdi Bahtiri dhe Veton Bytyqi dyshohen për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Në pikën e dytë, Prokuroria pretendon se gjatë vitit 2022, Bashkim Shaqiri, në cilësinë e drejtorit të Departamentit Ligjor në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, dhe Mejreme Bajrami, si zyrtare ligjore dhe bartëse e lëndës, kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare në rastin e regjistrimit të kësaj prone. Sipas dosjes, Zyra Kadastrale Komunale në Prishtinë kishte refuzuar dy herë kërkesën e paraqitur nga Slavica Mikiq, të përfaqësuar nga Venhar Hana, me arsyetimin se aktgjykimi nuk mund të ekzekutohej në regjistrat kadastralë, pasi ishte nxjerrë jashtë kompetencës territoriale dhe në kundërshtim me Ligjin për Procedurën Kontestimore.
Dosja thekson gjithashtu se Agjencia Kosovare e Privatizimit kishte konfirmuar se prona ishte nën menaxhimin e saj dhe se përgjigjet e marra nga arkivat nuk përputheshin me praktikat e rasteve të tjera. Megjithatë, sipas Prokurorisë, më 17 maj 2022, Shaqiri dhe Bajrami kanë aprovuar kërkesën e Slavica Mikiqit dhe kanë urdhëruar regjistrimin e pronës në emrin e saj, ndonëse prona evidentohej si pronë e AKP-së. Prokuroria pretendon se me këto veprime është shkaktuar dëm material prej rreth 15 milionë eurosh dhe se të dyshuarit kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare”.














