Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, e ka mohuar se flamuri dardan është larguar nga Presidenca, shkruan Reporteri.net.
Në një video që publikoi sot ku iu drejtua mërgatës lidhur me zgjedhjet e 7 qershorit, Haxhiu u shfaq në dy anët me flamurin e Kosovës, teksa ai dardan nuk shihej.
Sot në një deklaratë para mediave, Haxhiu tha se nuk është e vërtetë që është larguar flamuri dhe se ajo nuk merret me skenografi e kuadër.
“Kjo nuk qëndron. Nuk është e vërtetë. Nuk merrem me skenografi, e as me kuadër. Kjo nuk është punë e imja dhe as nuk di ta bëj. Ky është një lajm i rremë siç po ndodhë në vazhdimësi”, ka deklaruar Haxhiu.
Flamuri dardan ishte vendosur në Presidencë në vitin 2020, nga ish-Presidentja Vjosa Osmani.
Në vitin 2000, Presidenti Historik Ibrahim Rugova kishte vendosur që Flamuri dhe Stema e Dardanisë, të jenë simbole presidenciale.














