Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka konfirmuar gjatë javës se janë dakorduar në parti për të garuar bashkë në zgjedhje me ish-Presidenten Vjosa Osmani, shkruan Reporteri.net.
Kryeministri në detyrë dhe kreu i VV-së, Albin Kurti i pyetur sot për këtë bashkim ka thënë se u dëshiron sukses, por ka shtuar se “dëshirat nuk është mirë të ngatërrohen me fakte”.
Kurti ka përsëritur se partitë që deri dje ishin në opozitë e çuan në vendin në zgjedhje, por ka thënë se rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit do të jetë më i thellë se ai i 28 dhjetorit.
“Të gjithë që kanë ambicie politike, duan pushtet e kanë vizione ide për të mirën e qytetarëve le të angazhohen, le të punojnë me çka dinë e munden dhe ju dëshiroj sukses. Për këtë gjë nuk vendos asnjë kryetar partie, asnjë pretendent për çfarë do posti, për këtë vendos vetëm populli. Dhe mos harroni qysh ka vendos para katër muajsh. 51 .1 përqind ia dha VV-së dhe iu afruam shumë pranë shifrës 500 mijë vota.
Vetëm shikoni rezultatin e 28 dhjetorit, 57 deputetë VV-ja, LDK-PDK-AAK së bashku 43 deputetë. Nuk jemi duke u krahasuar dy parti, por e gjithë opozita me VV-në. Njerëzit kanë dëshira, dhe është normale, por nuk duhet me i ngatërru dëshirat me fakte.
Besoj që qytetarët e kanë kuptuar që çdoherë kur përpiqen t’ia vësh digën një rrjedhe soci-historike e politike siç është VV-ja, do të ketë gjithnjë e më shumë prurje. Sa herë na kanë vënë diga, është rritur prurja”, ka thënë Kurti para mediave.














