Kandidati për kryeministër nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, i ka bërë një thirrje të hapur dhe të drejtpërdrejtë mërgatës kosovare lidhur me zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Gjini ka kërkuar nga diaspora që të jetë pjesë e procesit zgjedhor, por ka kërkuar nga ata që të ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj kryeministrit aktual, Albin Kurti.
“Vëllezër e motra të diasporës, votoni se Kosova është edhe e juaja sa është edhe e jona, por mos e votoni Albin Kurtin se jeni duke na marrë në qafë,” deklaroi ai në emisionin “Click” në RTV21.
Gjini u bëri thirrje bashkëatdhetarëve që të reflektojnë dhe të mos e shohin politikën përmes figurës së një njeriu të vetëm, duke thënë se Kurti nuk është as politikani më i mirë dhe as njeriu që e do Kosovën më shumë se të tjerët.
“Ndërroni mendje se nuk është Albin Kurti politikani më i mirë në Kosovë, nuk është më i mençuri, nuk është Albin Kurti ai që e do Kosovën më shumë se askush tjetër e as më shumë se ju,” shtoi Gjini.
Kandidati i AAK-së për kryeministër përdori një metaforë nga sporti për të ilustruar mënyrën se si duhet të votohet, duke kërkuar votë racionale e jo emocionale.
“Ju e doni Kosovën, ejani votoni, por mendoni para se të votoni. Mos votoni si tifozët e Barcelonës e Realit se ‘ju ka tek’ për këtë, por votoni për hir të Kosovës,” tha ai.













