Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre personave të dyshuar me iniciale H.K., A.G., dhe E.G.,për përfshirje në skemën e manipulimit të testeve teorike për patentë-shofer, duke konfirmuar kështu raportimin ekskluziv nga Veriu.info.
Sipas kërkesës së paraqitur pranë gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se me datë 06 shkurt 2026 në objektin e stacionit të autobusëve në Mitrovicë, i pandehuri H.K., në cilësinë e instruktorit të një auto shkolle dhe i pandehuri A.G., ish – instruktor i auto shkollës, kanë pranuar para në shumë të panjohura për vete, me qëllim që t’ia mundësojnë kandidates K.K., kalimin e testit teorik për patente shofer, ku ia kanë montuar në maicë një pajisje – kamerë dhe dëgjuese në vesh e më pas përmes tyre i kanë treguar përgjigjet e sakta duke vepruar në të njëjtën mënyrë edhe me kandidaten A.D.
Ndërsa, të pandehurit H.K., dhe E.G., me datë 31 gusht 2026, saktësisht në objektin e Stacionit të Autobusëve ne bashkëveprim me njeri tjetrin, kanë pranuar para në shuma të panjohura për vete me qëllim që t’ia mundësojnë kandidatëve A.R., dhe F.Z., kalimin e testit teorik për patente shofer.
Të njëjtit, kandidates A.R., i kanë dhënë një këmishë të zezë me pajisje elektronike të montuar dhe një kufje për ta vendosur në vesh, ndërsa kandidatit F.Z., një jelek të zi me pajisje elektronike të montuar dhe kufje, duke i udhëzuar që përmes këtyre pajisjeve t’i pranojnë përgjigjet e sakta.
Seanca për caktimin e masës së paraburgimit do të mbahet pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë.













