Faton Ukaj, djali i ish-deputetit të LDK’së, Xhavit Ukajt, e ka krahasuar kryetarin e kësaj partie, Lumir Abdixhikun me Lulzim Bashën.
Sipas tij, të dy i kanë ‘frizurat e njëjta, të dy janë nxënës të Sorosit, dhe të dy i kanë humbur nga 4 palë zgjedhje’.
“Lumi i vogël me Lulin e madh, të dy kanë frizurat e njëjta, të dy janë nxënës të Sorosit, të dy i kanë humbur nga 4 palë zgjedhje ddhe fundin politik mund ta kenë të njëjtë”, është shprehur djali i ish-deputetit në një postim në Facebook.
Reagimi i tij vjen pasi Xhavit Ukaj nuk u përfshi në listën e LDK’së për deputet për zgjedhjet e 7 qershorit.
Në një deklarim publik, Xhavit Ukaj, mbrëmë tha se është propozuar nga Dega e LDK-së në Prizren dhe ka marrë mbështetje unanime, por nuk është lejuar të jetë pjesë e listës së kandidatëve.
“Nuk mu lejua të jem kandidat për deputet”, ka deklaruar Xhavit Ukaj, duke shtuar se vendimi përjashtues, sipas tij, nuk përkon me kontributin e tij shumëvjeçar në parti.
Ukaj ka thënë se ka qenë gjithmonë aktiv në LDK pa interesa personale dhe në periudha të vështira për partinë, duke theksuar se ndjehet i zhgënjyer me mënyrën e trajtimit të tij.
Ai gjithashtu ka përmendur se në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm ka votuar kundër që Vjosa Osmani të jetë bartëse e listës, duke sqaruar se nuk ka qenë kundër bashkimit në parim, por për mënyrën si është realizuar procesi.
Sipas tij, bashkimi brenda LDK-së duhet të bazohet në respektimin e figurave që kanë kontribuar ndër vite në parti.
Megjithatë, Ukaj ka theksuar se nuk largohet nga LDK dhe nuk e sheh veten jashtë saj, duke thënë se do të vazhdojë të mbështesë partinë edhe në këtë proces zgjedhor.
“LDK për mua nuk është interes i momentit, por bindje, identitet dhe shtëpi politike”, ka deklaruar ai, duke shtuar se do të angazhohet për njerëzit që, sipas tij, kanë qenë gjithmonë besnikë ndaj partisë.
Për mos përfshirjen e tij në listë ka reaguar edhe Drejtor i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Komunën e Prizrenit, Nderim Kadrijaj.
Sipas Kadrijajt, mos përfshirja e Xhavit Ukajt në listën për deputet është një padrejtësi.
“Mos përfshirja e Xhavit Ukajt në listën për deputet është një padrejtësi ndaj një njeriu që për vite me radhë ka qenë zë i fuqishëm dhe i palëkundur i LDK-së. Xhavit Ukaj nuk ka qenë aktiv vetëm në kohë fushatash apo interesash personale. Ai ka qenë pranë LDK-së në çdo kohë, me përkushtim, dinjitet dhe besnikëri ndaj vlerave të saj. Njerëz të tillë nuk duhen anashkaluar, sepse janë pikërisht ata që e kanë mbajtur gjallë frymën e LDK-së ndër vite”, u shpreh ai.














