Ministri i Shëndetësisë në detyrë, Arben Vitia, njofton se ka vizituar në spital Hysni Mehanin, për të cilin tha se e ka gjendjen stabile.
Reagimi i tij i plotë:
Sapo vizitova në spital zëvendësministrin, Hysni Mehani, pas sulmit fizik të rëndë ndaj tij sot në Skenderaj.
Janë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme dhe gjendja e tij është stabile. Gjatë ditës së nesërme do të realizohen edhe ekzaminime shtesë.
Përtej bindjeve politike, dhuna nuk mundet dhe nuk guxon të bëhet mjet komunikimi në një shoqëri demokratike. Sulmet fizike ndaj përfaqësuesve politikë, aktivistëve apo qytetarëve janë të papranueshme dhe cenojnë vetë frymën demokratike të vendit tonë.
I urova shërim të shpejtë bashkaktivistit tonë Hysniut dhe shpreha mbështetjen time të plotë.
Kosova ka nevojë për përballje me ide, argumente dhe vizion për shtetin, jo me dhunë e frikësim.













