Ish-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përshkruar përplasjet prapa skenave që ka pasur me kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin. Një nga ankesat ndaj saj, sipas Osmanit, “ishte se pse ajo kishte kërkuar që FSK të parakalojë më 17 shkurt”.
“Arsyet ka qenë shumë banale, na duhet një President që nuk merret me politikë të jashtme. Kishte gjëra tjera, që pse ke kërkuar që FSK-ja të parakalojë më 17 shkurt. Nuk e shoh ku është problemi këtu. Në qoftë se FSK nuk parakalon më 17 shkurt, me gjithë atë përkrahje popullore që e ka, unë nuk e di kur tjetër duhet të parakalojë”, tha Osmani në Rubikon.
Osmani thotë se me Kurtin kishte plane bashkëpunimi edhe për 10-15 vitet e ardhshme dhe se përkrahje për kandidaturën e saj për Presidente, nga Albin Kurti e Vetëvendosje i ishte dhënë nga dhjetori deri në fund të janarit. Por, gjërat kishin ndryshuar në shkurt.
“Në dhjetor ka treguar përkrahje të plotë që të vazhdoj këtë mandat. Ka ekzistuar një vullnet i plotë që është përsëritur edhe në janar. Ka ndryshuar komplet në muajin shkurt pa ndonjë argument apo kritikë substanciale përveç që dëshiron një President që nuk merret me politikë të jashtme dhe gjëra të tjera”, shtoi.














