Sipas rregullit të ri, tani të 26 lojtarët e çdo skuadre do të dalin në fushë gjatë himnit kombëtar, në vend që të jenë vetëm 11 titullarët si më parë. Risia u zbatua për herë të parë në ndeshjen Meksikë – Afrikë e Jugut, ku të dyja ekipet u rreshtuan të plota në fushë.
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, e konfirmoi këtë ndryshim, duke theksuar se synimi është forcimi i frymës së ekipit dhe krijimi i një ndjenje më të madhe uniteti para fishkëllimës së parë.
Interesant është fakti se ideja është frymëzuar nga legjenda italiane Alessandro Del Piero, i cili kishte sugjeruar që i gjithë grupi i lojtarëve duhet ta përjetojë këtë moment të rëndësishëm së bashku, jo vetëm formacioni titullar.
Ky hap shihet si pjesë e vizionit të FIFA-s për modernizimin e futbollit dhe rritjen e emocionit në momentet para ndeshjes, duke i dhënë më shumë simbolikë dhe rëndësi rreshtimit të skuadrave pranë flamurit kombëtar.











