Kjo pyetje është aktuale në dritën e shqyrtimit të mundësisë për përshpejtimin e rrugës së shteteve të Ballkanit Perëndimor në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE). Për këtë çështje u diskutua javën e kaluar në takimin e udhëheqësve të BE-së dhe të gjashtë vendeve të rajonit në qytetin malazez Tivat, ndërsa një vëzhgim shtesë erdhi disa ditë më vonë.
Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje në një non-paper, në të cilin Franca, Gjermania dhe tri shtetet e Beneluksit (Luksemburgu, Holanda dhe Belgjika), propozojnë anëtarësim në BE me të drejta më të kufizuara sesa ato që kanë aktualisht 27 shtetet anëtare.
Kosova bën pjesë në grupin e vendeve të përfshira në procesin e zgjerimit. Zyrtarisht konsiderohet si kandidate e ardhshme, por nuk ka statusin e kandidatit si shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe të Partneritetit Lindor. Nëse rregullat ndryshojnë për shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Kosova mund të mbetet e “bllokuar”. Kjo mund të ndryshohet vetëm nëse gjendet një formulë që edhe Kosova të përfshihet në proces, të cilin Brukseli e quan proces të bazuar në merita.
Çfarë thuhet në tre non-paper?
Disa non-paper që kanë të bëjnë me të ardhmen e zgjerimit tregojnë se brenda BE-së po punohet për të përshtatur strategjinë e saj aktuale.
Për më pak se një muaj, nga kryeqytete të rëndësishme evropiane janë shfaqur tri dokumente të dedikuara për këtë çështje. Pas tyre qëndrojnë shtetet më me ndikim të bllokut evropian.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, në maj propozoi që vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavia të merrnin statusin e vëzhguesit në BE, ndërsa Ukraina do të fitonte statusin e anëtares së asociuar, pa të drejtë vote.
Më pak se dy javë më vonë u shfaq një propozim franko-gjerman për integrim gradual të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe Moldavisë. Dokumenti u publikua në prag të samitit në Tivat dhe u shndërrua në një nga temat kryesore të atij takimi.
Pas samitit doli edhe non-paper i tretë, i nënshkruar nga shtetet themeluese të BE-së: Franca, Gjermania dhe vendet e Beneluksit (Belgjika, Holanda dhe Luksemburgu).
Ndërsa dy dokumentet e para trajtojnë periudhën para anëtarësimit dhe përfitimet që vendet në procesin e pranimit mund të kenë, i treti i referohet periudhës pas pranimit në BE dhe kufizimeve që anëtarët e rinj mund të kenë.
Të gjitha këto dokumente kanë të bëjnë me shtetet që synojnë anëtarësimin e plotë në BE.
Ku ndodhet Kosova në procesin e anëtarësimit me BE-në?
Megjithatë, Kosova, e cila zyrtarisht ka perspektivë evropiane dhe potencialisht mund të marrë statusin e vendit kandidat, është i vetmi vend në procesin e zgjerimit që nuk gëzon të njëjtin trajtim si partnerët e tjerë sa i përket marrëdhënieve me institucionet e BE-së.
Kosova shpalli pavarësinë në shkurt të vitit 2008. Shtetësia e saj nuk njihet nga pesë prej 27 shteteve anëtare të BE-së: Greqia, Rumania, Sllovakia, Spanja dhe Qiproja.
Në dhjetor të vitit 2022, Kosova dorëzoi aplikimim për anëtarësim në BE Që atëherë, lidhur me këtë kërkesë nuk është zhvilluar asnjë diskutim formal në institucionet e BE-së.
Për dhënien e statusit të vendit kandidat nevojitet një vendim unanim i të gjitha shteteve anëtare.
Qeveria e Kosovës u bën thirrje rregullisht institucioneve evropiane që të trajtojnë kërkesën gati katërvjeçare dhe të mundësojnë nisjen e procedurave që mund të çojnë drejt një vendimi për statusin e kandidatit.
Ku është mundësia për Kosovën?
Teksa propozimi i Merzit kishte të bënte ekskluzivisht me vendet kandidate, non-paper-i franko-gjerman si kusht për shfrytëzimin e përfitimeve para anëtarësimit përmend shprehimisht dorëzimin e kërkesës për anëtarësim. Pikërisht ky formulim ia hap derën Kosovës dhe, në aspektin procedural, krijon hapësirë për përfshirjen e saj, por nuk ia heq pengesat politike.
Edhe pse sipas disa propozimeve anëtarët e ardhshëm përkohësisht nuk do të kishin të drejtë vote, përkatësisht të drejtën e vetos – gjë që në rastin e Kosovës është gjithashtu e rëndësishme – ky kufizim nuk do të vlente për shtetet aktuale anëtare të BE-së, të cilat do t’i ruanin kompetencat ekzistuese.
Që nga 1 janari i këtij viti, presidencën gjashtëmujore të Këshillit të Bashkimit Evropian e ka marrë Qiproja, një nga pesë shtetet anëtare që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
“Pavarësisht qëndrimit kombëtar të Qipros ndaj statusit të Kosovës, i cili mbetet i pandryshuar, Presidenca qipriote është e obliguar të respektojë plotësisht rolin e saj institucional dhe është e përkushtuar të mbajë një qasje të paanshme ndaj të gjithë partnerëve, përfshirë Kosovën”, tha një zyrtar qipriot në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë dërguar në fillim të mandatit.
Shteti anëtar që mban presidencën e Këshillit të BE-së nuk ka të drejtë të imponojë qëndrimin e veta kombëtare lidhur me vendimet që merren gjatë mandatit të tij.
Për disa diplomatë, kjo ishte një mundësi për të shqyrtuar vendosjen në rend dite të aplikimit të Kosovës. Megjithatë, deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret në këtë drejtim.
“Duke pasur parasysh mungesën e konsensusit në Këshill lidhur me aplikimin e Kosovës për anëtarësim, në përputhje me nenin 49 të Traktatit për Bashkimin Evropian, nuk parashikohen aktivitete relevante për këtë çështje”, konfirmoi zyrtari nga Qiproja.
A lënë hapësirë në idetë e reja për Kosovën?
Adi Qerimagiq nga Iniciativa për Stabilitet Evropian vlerëson se askush në Bruksel, e as në kryeqytetet e tjera evropiane, nuk po diskuton seriozisht për aplikimin e Kosovës për anëtarësim.
“Propozimet që po paraqiten tani për përshpejtimin e zgjerimit e lënë Kosovën jashtë shumicës së elementeve të tyre dhe mezi pasqyrojnë dëshirën e Kosovës për t’iu bashkuar BE-së”, thotë Qerimagiq për Radion Evropa e Lirë.
Në anën tjetër, Engjëllushe Morina, eksperte për çështje të zgjerimit në Këshillin Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, vlerëson se rruga është e hapur edhe për Kosovën, pasi instrumentet dhe programet për integrim gradual tashmë janë të qasshme.
Ajo rikujton se Kosova është përfshirë në disa nisma të BE-së, përfshirë në sistemin SEPA, korsitë e gjelbra dhe heqjen e roaming-ut, pavarësisht se ende nuk e ka statusin e vendit kandidat.
“Fakti që Kosova nuk ka marrë përgjigje ndaj aplikimit të saj për statusin e vendit kandidat nuk do të thotë se Kosova nuk po trajtohet në bazë të meritave”, thotë Morina për Radion Evropa e Lirë.
Ajo thekson se është e rëndësishme që non-paper-i franko-gjerman u referohet të gjitha vendeve që synojnë anëtarësimin në BE.
“Kjo do të thotë se, duke lexuar mes rreshtave, mund të kuptohet se dyert po hapen për Kosovën dhe se ajo qartazi po trajtohet e barabartë me vendet e tjera kandidate”, thekson Morina.
Për Adi Qerimagiqin, Kosova përfaqëson dëshminë më të qartë se procesi i anëtarësimit në BE është larguar në masë të madhe nga parimi i bazuar në meritë.
“Është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim, por ende nuk ka statusin e kandidatit. Në të njëjtën kohë, sipas vlerësimeve të vetë Komisionit Evropian, ajo [Kosova] është më e përgatitur se Bosnje dhe Hercegovina, e cila ka statusin e kandidatit dhe vendimin për hapjen e negociatave për anëtarësim. Bosnje dhe Hercegovina është shteti më pak i përgatitur në rajon, teksa Kosova ka rezultate të mira dhe po vazhdon të përparojë. Njëra shpërblehet, e tjera injorohet”, thotë Qerimagiq.
Ai shton se përparimi i Kosovës, pavarësisht një qasjeje të tillë të institucioneve evropiane, është “pothuajse një mrekulli”.
Ndërkaq, Morina, duke iu referuar përmbajtjes së dokumentit franko-gjerman, thekson se parashikohen stimuj shtesë për zbatimin e reformave, ndërsa synimi i anëtarësimit të plotë në BE mbetet i pandryshuar.
“Për Kosovën kjo mund të nënkuptojë se, nëse konsolidon me kohë institucionet, përmbush obligimet nga Plani i Rritjes dhe vazhdon reformat, mund të përparojë në rrugën evropiane pavarësisht se ende nuk ka marrë përgjigje për aplikimin e saj për anëtarësim”, thotë Engjëllushe Morina.
Megjithatë, Qerimagiq paralajmëron se çështja e aplikimit të Kosovës nuk mund të mbetet gjatë në plan të dytë.
Sipas tij, shtetet anëtare që e mbështesin Kosovën duhet të insistojnë që aplikimi për anëtarësim të shqyrtohet, teksa propozimet aktuale janë ende objekt debati politik dhe jo vendimesh përfundimtare.
“Kur kjo çështje të trajtohet seriozisht, përgjigjja është e qartë: Kosova duhet të trajtohet të paktën njësoj si Bosnje dhe Hercegovina. Dhe, duke qenë se vazhdon të arrijë rezultate atje ku të tjerët nuk arrijnë, ky përparim duhet të shpërblehet, e jo të injorohet”, thotë Qerimagiq./REL/











