Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

Marrëveshja e Trumpit me Iranin dhe Marrëveshja Bërthamore e vitit 2015: Çfarë ndryshon këtë herë?

18/06/2026 - 15:50
në Lajme
A A
Marrëveshja e Trumpit me Iranin dhe Marrëveshja Bërthamore e vitit 2015: Çfarë ndryshon këtë herë?
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Marrëveshja mes SHBA-së dhe Iranit për t’i dhënë fund luftës dhe për të rihapur Ngushticën e Hormuzit krahasohet pashmangshëm me marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 (JCPOA), e arritur me Teheranin nga presidenti i atëhershëm amerikan, Barack Obama.

Kjo marrëveshje u kritikua ashpër nga pasardhësi i tij, Donald Trump, i cili në vitin 2018, gjatë mandatit të tij të parë, i tërhoqi Shtetet e Bashkuara prej saj.

Trump deklaroi vazhdimisht se marrëveshja e tij do të jetë më e mirë, por dokumenti që nënshkroi në Versajë, nuk është përfundimtar – shumë çështje mbeten ende për t’u negociuar gjatë 60 (ose më shumë) ditëve në vijim.

“Nëse do të ishte e lehtë, kjo çështje do të zgjidhej që para dy luftërash”, thotë për Radion Evropa e Lirë Naysan Rafati, analist për Iranin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, duke iu referuar luftës 12-ditore të qershorit të vitit të kaluar, si dhe përshkallëzimit të ri këtë vit, që nisi me sulmet ajrore të SHBA-së dhe Izraelit më 28 shkurt.

“Bazat e programit bërthamor iranian, që nga qershori i kaluar, janë ndryshe nga ato që kanë qenë gjatë periudhës së JCPOA-së”, shton ai.

Çfarë përfshinte marrëveshja JCPOA?

Një element që nuk ka ndryshuar është mohimi i Iranit se synon të zhvillojë armë bërthamore, por, ndërkohë, ai ka pasuruar uranium në nivele më të larta se ato që nevojiten për përdorime civile.

Kjo ishte një nga problemet kryesore atëherë dhe mbetet edhe sot.

Elementet kryesore të JCPOA-së ishin që Irani t’i dërgonte 98 për qind të rezervave të tij të uraniumit të pasuruar jashtë vendit, të pranonte kufizime në pasurimin e ardhshëm shumë poshtë niveleve të armëve, të hiqte dorë nga disa centrifuga që përdoren për pasurim dhe të lejonte që të gjitha këto të kontrolloheshin nga inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA).

Pikat përfshinin edhe një mori detajesh teknike, për shembull për nivelet e sakta të pasurimit, sasitë e materialit të pasuruar, vendet e magazinimit dhe modelet specifike të centrifugave.

Irani, po ashtu, u zotua se nuk do të zhvillonte armë bërthamore.

Në këmbim, sanksionet ndërkombëtare që lidheshin me programin bërthamor – por jo me çështje të tjera, si mbështetja e Iranit për grupet e armatosura në të gjithë Lindjen e Mesme, programi i tij i raketave ose abuzimet me të drejtat e njeriut – do të hiqeshin bazuar në verifikimin se Irani po i përmbahej marrëveshjes.

Përveç lehtësimit të sanksioneve, Iranit iu dha gjithashtu qasje në asetet e ngrira jashtë vendit, vlera e të cilave ishte e diskutueshme – me vlerësime që varionin nga 50 deri në 100 miliardë dollarë.

SHBA-ja, po ashtu, i pagoi Iranit rreth 1.3 miliard dollarë.

Marrëveshja kishte një mekanizëm zgjidhjeje mosmarrëveshjesh dhe një klauzolë skadimi deri në vitin 2030.

Ajo u miratua nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Megjithatë, marrëveshja hasi në kundërshtime politike në SHBA, nga të dyja partitë.

Kritikët argumentonin se ajo vetëm e kufizonte programin bërthamor të Iranit, por nuk e çmontonte plotësisht atë dhe nuk trajtonte çështje të tjera problematike, si roli i Iranit në rajon.

Sanksionet ndaj Iranit u hoqën në janar të vitit 2016, pasi Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) verifikoi se Irani po i zbatonte kushtet.

Edhe në vitin 2017, SHBA-ja konfirmoi dy herë se Irani po i përmbahej marrëveshjes.

Rruga drejt luftës

Në maj të vitit 2018, presidenti Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja, duke e cilësuar atë si “të tmerrshme” dhe të njëanshme.

Nga viti 2020 deri më 2021, Irani filloi të rrisë si numrin e centrifugave, ashtu edhe nivelin e pasurimit të uraniumit, sipas raporteve të IAEA-s.

Kjo bëri që Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania (të njohura si E3) të deklaronin se Teherani nuk po e respektonte më JCPOA-në.

Në qershor të vitit të kaluar, Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kryen sulme ajrore ndaj objekteve bërthamore iraniane, duke paralajmëruar se Irani ishte afër zhvillimit të armëve bërthamore.

Pentagoni më vonë vlerësoi se operacioni “Çekani i mesnatës” e kishte kthyer programin pas deri në dy vjet, megjithëse kishte raporte kontradiktore për shkallën e saktë të dëmeve.

“Ka pasur dëme të mëdha si në objekte, ashtu edhe te shumë nga zyrtarët e lartë të lidhur me programin bërthamor. Por, ne ende nuk kemi pasur inspektime në terren në vendet e goditura. IAEA ka mundur të hyjë në disa objekte, por jo në objektet kryesore të pasurimit që u shënjestruan gjatë operacionit”, thotë Rafati.

Irani filloi ta kufizonte monitorimin nga IAEA pas konfliktit të qershorit.

Më pas, në shtator të vitit të kaluar, hyri në fuqi një tjetër dispozitë e JCPOA-së, e ashtuquajtura klauzolë “snapback”.

Kjo nënkuptonte që sanksionet e OKB-së, të hequra sipas marrëveshjes, të rivendoseshin pas mospërshtatjes së Iranit me detyrimet e tij.

E3 e nisi këtë proces pasi Irani refuzoi t’i plotësonte kërkesat e tyre për qasje të plotë të inspektorëve të IAEA-s dhe transparencë mbi rezervat e materialit të pasuruar.

Pas konfliktit të qershorit 2025, Uashingtoni dhe Irani rifilluan bisedimet për çështje bërthamore.

Por, këto bisedime u ndërprenë kur më 28 shkurt nisën sulmet ajrore të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit.

Çka tash?

Memorandumi i mirëkuptimit (MOU) i nënshkruar nga Trump dhe presidenti iranian, Masud Pezeshkian, më 17 qershor, parashikon heqjen e menjëhershme të sanksioneve amerikane ndaj naftës iraniane, ndërsa heqja e sanksioneve të tjera dhe lirimi i aseteve të ngrira do të ndodhin vetëm nëse Irani zbaton detyrimet e tij, si ulja e nivelit të uraniumit të pasuruar nën mbikëqyrjen e IAEA-s.

“Nuk jemi në biznes të besimit”, tha një zyrtar i lartë amerikan gjatë një konference për gazetarë, më 17 qershor.

Çështja e pasurimit të uraniumit është lënë gjithashtu për t’u trajtuar në negociata të mëtejshme, ndërsa Irani “ripohon se nuk do të sigurojë apo zhvillojë armë bërthamore”.

Ashtu si JCPOA, edhe kjo marrëveshje është kritikuar, përfshirë nga disa ligjvënës republikanë, të cilët thonë se SHBA-ja ka bërë lëshime të mëdha për përfitime të kufizuara.

Max Meizlish, analist në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, shpreh shqetësim për lehtësimet e sanksioneve ndaj naftës.

“Ajo që duhet të bëjmë – nëse kjo është vërtet marrëveshje e bazuar në performancë – është ta lidhim çdo lehtësim të sanksioneve me sjelljen e regjimit, që shkon përtej pjesëmarrjes së thjeshtë në negociata, nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit dhe hapjes së Ngushticës”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

“Kongresi amerikan nuk do të heqë dorë lehtë nga kjo, përveç nëse ka reforma të konsiderueshme nga Irani. Dhe do të shohim. Do të shohim çfarë do të kërkojë përfundimisht SHBA-ja”, shton ai, duke iu referuar bisedimeve që priten.

Meizlish kritikon edhe mungesën e ndonjë referimi për “aktivitetet e tjera keqdashëse” të Iranit, si programi i tij raketor dhe mbështetja për grupe të tilla si Hezbollahu, të cilin Uashingtoni e konsideron organizatë terroriste.

JCPOA-ja u kritikua për të njëjtat arsye.

Situata tani, pas dy luftërave që kanë shkatërruar ekonominë e Iranit dhe kanë dëmtuar objektet e tij bërthamore, është shumë ndryshe nga viti 2015.

Këto konflikte kanë gërryer ndjeshëm edhe besimin, duke i komplikuar më tej bisedimet.

JCPOA-ja, përndryshe, nuk ishte vetëm një proces dypalësh SHBA-Iran.

Edhe Rusia, Kina, Britania, Franca dhe Gjermania ishin të përfshira në negociatat që zgjatën gati dy vjet.

Memorandumi i Mirëkuptimit thotë se negociatorët do të synojnë një marrëveshje brenda 60 ditësh, por edhe kjo periudhë mund të zgjatet.

Rafati sugjeron se bisedimet do të duhet të jenë më teknike dhe komplekse sesa kanë qenë deri më tani, më 2025-2026./REL

JU REKOMANDOJMË

Geci: ‘Anton Quni duhet të jetë kandidat për President të Kosovës’

Geci: ‘Anton Quni duhet të jetë kandidat për President të Kosovës’
01/09/2026 - 22:54

Gani Geci nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në këtë subjekt politik ku gjashtë deputetë të kësaj partie vendosëm mos t’a mbështesin Bekim...

Më shumëDetails

Kurti kritikon 6 deputetët e LDK’së: Të papërgjegjeshme, absurde një sjellje të tillë nga këta 6 deputetë

Kurti kritikon 6 deputetët e LDK’së: Të papërgjegjeshme, absurde një sjellje të tillë nga këta 6 deputetë
01/09/2026 - 22:46

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, ka dalë në konferencë për media pas mbledhjes me grupin parlamentar të LVV. Ai foli edhe për gjashtë deputetët e LDK-së që deklaruan se...

Më shumëDetails

Kurti: Marrëveshja është e vlefshme, Bekim Sejdiu është kandidati, vullneti i Abdixhikut është i sinqertë

Kurti: Marrëveshja është e vlefshme, Bekim Sejdiu është kandidati, vullneti i Abdixhikut është i sinqertë
01/09/2026 - 22:36

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka dalë në konferencë për media pas mbledhjes me grupin parlamentar të LVV. Kurti tha se marrëveshja me LDK-në është e vlefshme,...

Më shumëDetails

Haxhiu me kritika ndaj Lumir Abdixhikut: Nuk e ka fuqinë politike të jetë arrogant

Haxhiu me kritika ndaj Lumir Abdixhikut: Nuk e ka fuqinë politike të jetë arrogant
01/09/2026 - 22:23

Gazetari Baton Haxhiu, ka lëshuar Kritika të ashpra ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku. Haxhiu ka thënë se është lajm i keq për Kosovën që nuk po formohen...

Më shumëDetails

Çitaku: Lëreni Hashim Thaçin rehat, nuk po presim të kthehet në një post, por të kthehet i lirë

Çitaku: Lëreni Hashim Thaçin rehat, nuk po presim të kthehet në një post, por të kthehet i lirë
01/09/2026 - 22:13

Çitaku: Lëreni Hashim Thaçin rehat, nuk po presim të kthehet në një post, por të kthehet i lirëShare Button Gazeta Blic Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku,...

Më shumëDetails

Sejdiu: Kurti e ka ditur se në LDK do të ketë deputetë që s’votojnë për president

Ish-nënkryetari i VV-së: Në vend është instaluar një politikë e frikës
01/09/2026 - 22:01

Opinionisti Dardan Sejdiu, ka folur për debatin brenda LDK-së dhe kundërshtimet e disa deputetëve të saj për ta mbështetur kandidaturën e Bekim Sjediut për kryetar të shtetit. Ai...

Më shumëDetails

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • I ‘mbledhi’ burrat’, kështu e kaloi natën Edi Kuçi (pamje)

    I ‘mbledhi’ burrat’, kështu e kaloi natën Edi Kuçi (pamje)

    176 Shpërndaje
    Shpërndaje 70 Tweet 44
  • A do ta votojë Bekim Sejdiun? Flet Hykmete Bajrami

    123 Shpërndaje
    Shpërndaje 49 Tweet 31
  • Ekskluzive: Bajrami, Hoti, Shala, Haziri e Zemaj nuk morën pjesë në mbledhjen e sotme të LDK-së

    112 Shpërndaje
    Shpërndaje 45 Tweet 28
  • “Kamera në maicë e dëgjuese në vesh”, dyshohet se merrnin ryshfet për kalimin e testit të patentë-shoferit, kërkohet paraburgim për tre persona

    93 Shpërndaje
    Shpërndaje 37 Tweet 23
  • Këta janë 18 deputetët e LDK-së në legjislaturën e 11-të të Kuvendit të Kosovës

    191 Shpërndaje
    Shpërndaje 76 Tweet 48

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë