Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe atë të AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se i njoftoi ata për bisedimet në Bruksel.
Ai tha se takimi me krerët e opozitës ishte interes i tij, në mënyrë që sa më shumë t’i njoftojë ata në lidhje me dialogun Kosovë – Serbi.
“Në kuvend kemi pauzë, kemi pushim deri kah mesi i shtatorit, andaj kjo është arsyeja pse e konsideruam që është i rëndësishëm një takim i këtillë, kur është arritur akordimi që as në anën e Kosovës të mos ketë aso dokumente të hyrje/daljeve”, tha Kurti.
Tutje, kreu i qeverisë tha se i diskutuan detajet e bisedimeve në Bruksel dhe ky takim, sipas tij, është një bashkëpunim i shtuar, ku siç tha ai, jep shpresë për më shumë komunikim mes qeverisë dhe opozitës.
Kurti komentoi edhe deklarimet e opozitarëve, të cilët thanë se më shumë informacione për dialogun kanë marrë nga ndërkombëtarët sesa qeveria, duke thënë se ai i ka ndarë me ta (opozitën) të gjitha informatat me rëndësi.
“Unë besoj se informacion që është i rëndësishëm s’ka që është mbajtur prej nesh dhe krejt çka është relevante tashmë është ndarë me ta. Nëse kanë pasur informacion tjetër relevant që ua kanë dhënë ndërkombëtarët mbase do të duhej ata të tregonin, por sa i përket çështjeve kryesore për temat dhe diskutimin si ka shkuar absolutisht s’janë të painformuar”, është shprehur Kurti, njofton Klankosova.tv.













