Fitorja e Argjentinës 3-0 ndaj Algjerisë në Botërorin 2026 është shoqëruar me polemika jashtë fushës.
Federata Algjeriane e Futbollit e ka paraqitur një ankesë zyrtare në FIFA për disa vendime të gjyqtarit gjatë ndeshjes, duke vënë në pikëpyetje edhe një rast me Lionel Messin.
Në qendër të debatit është një ndërhyrje e kapitenit argjentinas ndaj mbrojtësit algjerian Aissa Mandi, ku Messi duket se e prek me taka në pjesën e pulpës gjatë një dueli.
Algjerianët pretenduan se ndërhyrja duhej të ndëshkohej me karton të kuq, ndërsa referi Szymon Marciniak dhe sistemi VAR nuk ndërhynë.
Federata e Algjerisë ka kërkuar sqarime nga komisioni i referëve të FIFA-s, duke ngritur shqetësime për konsistencën e vendimeve gjatë turneut.
Përveç aksionit me Messin, algjerianët e kanë përmendur edhe një përplasje tjetër ku Alexis Mac Allister u akuzua për një goditje ndaj Ibrahim Mazës.
Pavarësisht polemikave, Messi ishte protagonisti absolut i sfidës.
Ylli argjentinas e shënoi një tregolësh dhe e barazoi rekordin historik të Miroslav Kloses me 16 gola në Kupat e Botës.
Debati ka ndezur diskutime në opinionin sportiv, ku disa analistë kanë pretenduar se situata duhej rishikuar nga VAR, ndërsa të tjerë e kanë mbrojtur vendimin e gjyqtarit duke e konsideruar një episod të diskutueshëm. /Gazeta Express













