Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu ka dekretuar Zejnullah Gashin si Kryeprokuror të ri të Shtetit.
Kështu ka konfirmuar Sistemi Prokurorial përmes një komunikate publike
“Dekretimi i Kryeprokurorit të Shtetit vjen pas propozimit të bërë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, i cili, në mbështetje të dispozitave kushtetuese dhe ligjore, e kishte nominuar z. Zejnullah Gashi për këtë funksion pas përfundimit të procedurës së vlerësimit dhe votimit.” – thuhet në komunikatë.
Kryeprokurori i sapodekretuar do të udhëheqë institucionin Prokurorinë e Shtetit për një mandat shtatë (7) vjeçar.
Dekretimi u bë një ditë pasi Këshilli Prokurorial i Kosovës në mbledhjen e 298-të të hënën, ka nominuar Gashin për Kryeprokuror të Shtetit, emri i të cilit u propozua tek Haxhiu, për dekretim.
Ndryshe, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Lëvizja FOL dje mirëpritën vendimin e KPK-së për propozimin e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit, duke shënuar përfundimin e një procesi të rëndësishëm për sistemin e drejtësisë. Shoqëria civile vlerësoi se procesi është zhvilluar në përputhje me kornizën ligjore, me transparencë dhe trajtim të barabartë të të gjithë kandidatëve, duke bërë thirrje që dekretimi i Kryeprokurorit të Shtetit të bëhet pa vonesë.
Në garë për këtë pozitë ishin pesë kandidatë dhe atë: Atdhe Dema, Naim Abazi, Rafet Halimi, Shqipdon Fazliu dhe Zejnullah Gashi.
Pas zhvillimit të procesit të intervistimit më 1 korrik 2026, Paneli Vlerësues publikoi rezultatet, sipas të cilave kandidatët u poentuan në këtë mënyrë: Zejnullah Gashi 91.6 pikë, Atdhe Dema 89.3 pikë, Naim Abazi 89 pikë, Rafet Halimi 87 pikë dhe Shqipdon Fazliu 86.3 pikë.
KPK-ja po ashtu ka publikuar edhe intervistat e pesë kandidatëve.
Ankesën ndaj vlerësimit të marrë gjatë procesit të përzgjedhjes, kishte parashtruar kandidati për Kryeprokuror të Shtetit, Atdhe Dema. Por, Këshilli refuzoi ankesën e tij në mbledhjen e 10 korrikut 2026.
Ndryshe, më 19 qershor 2026, me 6 vota për dhe 1 kundër, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) kishte miratuar kandidaturat e pesë kandidatëve që kanë hyrë në garë për Kryeprokuror të Shtetit.
Kujtojmë se vendimi për shpalljen e konkursit për Kryeprokuror të Shtetit ishte marrë në takimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës më 18 maj 2026.
Pas shpalljes së konkursit, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj kishte paraqitur padi me kërkesë për masë të sigurisë në Gjykatën Administrative, duke kërkuar që konkursi i shpallur nga KPK-ja të pezullohet, por Gjykata Administrative e kishte refuzuar kërkesën. Vendimin e vërtetoi edhe Gjykata e Apelit.












