Kryeziu u shpreh i shqetësuar edhe për zvarritjen e procesit të formimit të institucioneve, duke thënë se situata është degraduar dhe se mungesa e vullnetit politik e kompromisit po e vështirëson daljen nga kriza.
Kryeziu, i ftuar në “FIVE” në Dukagjin, u shpreh se zgjidhja më e arsyeshme është që fillimisht të konstituohet Kuvendi dhe të formohet Qeveria, ndërsa diskutimet për zgjedhjen e presidentit të zhvillohen më pas.
“Bukur shumë është degraduar procesi i formimit të institucioneve për çka edhe njerëzit e kanë humbur shpresën teksa në parlamentin e Kosovës janë mbi 100 deputetë shqiptarë të cilët mund t’i kalojnë të gjitha proceset si marrëveshjet ndërkombëtare e deri tek zgjedhja e presidentit. Por, këtu po mungon një vullnet i mirë si dhe kompromisi i partive politike, kishte me qenë mirë VV-ja me shku në koalicion me PDK-në si një parti stabile dhe e strukturuar duke pasur parasysh të gjitha rrethanat e brendshme dhe të jashtme që i kemi – por PDK-ja ka marrë një qëndrim bukur të fortë që të mos bëjë pjesë aty. Pata shpresë që me LDK-në dhe Aleancën do të mund të arrihej deri tek numri 80 që nevojitet për president”, u shpreh Kryeziu.
Kryeziu, mes tjerash, u shpreh se është e vështirë të gjendet një figurë që i plotëson kërkesat që, sipas tij, po vendosen aktualisht për postin e presidentit.
“Nëse nuk ka marrëveshje duhet të konstituohet Kuvendi dhe të formohet Qeveria dhe më pas të diskutohet për President – dyshoj se do të arrihet ndonjë konsensus për një president në të cilën janë krijuar disa kritere abstrakte për të qenë President i Republikës së Kosovës gjë që nuk ka ndodhur deri më sot kurrë. Është e pamundur të gjendet një person jo politik në rangun e Presidentit, pastaj duhet me qenë që krijon politika dhe mendoj se është e pamundur të gjendjet një person që është jopartiak të gjitha këto kritere janë të pamundura të gjenden në Kosovë”, u shpreh Kryeziu.













