Përbërja aktuale e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të ndryshohet shumë shpejt. Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka kohë deri më 20 gusht për të emëruar përbërjen e re të KQZ-së.
Ky afat do të vlejë edhe nëse deri në këtë datë Kuvendi do të arrijë ta votojë presidentin e ri.
Pjesë e përbërjes së re të KQZ-së nuk do të mund të jenë Alban Krasniqi (LVV), Ilir Gashi (PDK) dhe Sami Hamiti (LDK), të cilët janë në mandatin e tyre të tretë radhazi.
Kjo pasi Ligji për Zgjedhjet në Kosovë ka paraparë se anëtarët e KQZ-së nuk mund të shërbejnë më shumë se tri mandate të njëpasnjëshme.
Sipas këtij ligji, mandati i anëtarëve të KQZ-së është i lidhur me mandatin e ciklit zgjedhor dhe në parim fillon jo më vonë se 60 ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve për Kuvend.
Certifikimi i rezultateve është bërë nga KQZ me 8 korrik.
Sipas nenit 61, paragrafit 6, Presidenti i Republikës së Kosovës, jo më vonë se 30 ditë pas certifikimit të rezultateve, pra deri me 8 gusht, u kërkon grupeve parlamentare/subjekteve politike që të propozojnë me shkrim kandidatët për anëtar të KQZ.
Sipas të njëjtit paragraf, grupet parlamentare / subjektet politike brenda afatit prej 7 ditësh i dërgojnë propozimet e tyre. Pra, më së largu deri me 15 gusht.
Emërimi i anëtarëve të rinj, duhet të bëhet nga Presidenti brenda 5 ditësh nga dërgimi i propozimeve, pra më së largu deri me 20 gusht.
Ndryshime pritet të ketë edhe në radhët e përfaqësuesve të subjekteve politike të minoriteteve.
Rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit kanë nxjerrë në Kuvend katër grupet e njejta parlamentare ashtu si në zgjedhjet e 28 dhjetorit: LVV, PDK, LDK dhe AAK. Kjo do të thotë se dy grupet më të mëdha parlamentare, LVV dhe PDK, kanë të drejtë të emërojnë nga një anëtar shtesë, pra nga dy.
Por, pavarësisht se Kushtetuta parashikon qartë përbërjen e KQZ-së, presidentja e kaluar, Vjosa Osmani dhe UD, Albulena Haxhiu, nuk kanë emëruar anëtarin e dytë të PDK-së në KQZ, duke krijuar vakuum institucional dhe duke mos garantuar fuksionimin kushtetues në përbërje të plotë të këtij institucioni.
Në këtë mënyrë zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit si asnherë më parë janë organizuar nga KQZ-ja, në përbërje të paplotë, pra me vetëm 10 anëtarë nga 11 sa duhet të jetë përbërja e plotë e përcaktuar me Kushtetutën e Kosovës dhe nuk dihet se si Haxhiu do të veprojë gjatë konstituimit të përbërjes së re të KQZ-së.
Osmani s’e zbatoi Kushtetutën dhe praktikën e saj
Ish-presidentja Vjosa Osmani ndonëse kishte kohë të mjaftueshme të vendos për të plotësuar përbërjen e plotë të KQZ-së nga Aktvendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese (KO81/26), i datës 30 mars 2026, e para e shtetit e braktisi këtë pozitë duke lënë një ulëse të zbrazët në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Mosveprim i të pares së shtetit ishte jo vetëm moszbatim i Kushtetutës, por edhe i praktikës se saj kushtetuese që ka krijuar vet ajo.
Kjo pasi në vitin 2021, Osmani kishte vendosur që kjo ulëse t’i takonte Partisë Demokratike të Kosovës, duke e çuar në dy numrin e përfaqësuesve të kësaj partie në KQZ dhe duke refuzuar kërkesën e Vetëvendosjes për emërimin e anëtarit të 3-të në këtë institucion që organizon zgjedhje në vend.
Osmani, çështjen e kompletimit të KQZ-së, e la në dorë kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila nga 5 prilli u bë ushtruese e detyrës së presidentit.
Haxhiu e la opozitën me një anëtar më pak në KQZ
Vetëm tri ditë pasi që ishe vendosur në presidencë, Haxhiu kishte fajësuar Osmanin që nuk e përfundoi emërimin e anëtarëve të KQZ-së, duke premtuar se do t’i trajtojë të gjitha çështjet me prioritet.
“Një proces kushtetues që ka nisur më herët është dashur të përfundohet në mandatin e presidentes Vjosa Osmani siç është edhe kjo çështja e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Nuk mendoj që është në rregull që një proces që ka nisur më herët të jetë i papërfunduar. Do t’i trajtoj të gjitha çështjet që janë me prioritet. Sapo të kemi një analizë të të gjitha këtyre shkresave, aktgjykimeve e aktvendimeve natyrisht që do të veprojmë me kohë”, kishte thënë Haxhiu më 8 prill.
Por, ndonëse ditët kalonin dhe vendi po hynte në proces zgjedhor, siç ndodhi më 30 prill kur u caktua data e zgjedhjeve të parakohshme për 7 qershor, Haxhiu nuk bëri asnjë hap konkret për të plotësuar përbërjen kushtetuese të KQZ-së.
Në disa raste, ajo deklaroi publikisht gatishmërinë që të emëroi anëtarin e 3-të të Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ.
Më 11 prill, Haxhiu kishte paralajmëruar se do t`i jep përparësi Rregullores së Kuvendit ndaj Kushtetutës për përbërjen e KQZ-së, një interpremtim që mbështet pikërisht pretendimin e Lëvizjes Vetëvendosjes, sipas së cilit, meqenëse në zgjedhjet e 28 dhjetorit ky subjekt ka fituar gjysmën e votave, i takon edhe gjysma e ulëseve shqiptare në KQZ.
“Unë mendoj që parimi i proporcionalitetit, pra përfaqësimi dhe fuqia politike janë shumë të rëndësishme në një proces. Përshembull, në Kuvendin e Kosovës ne kemi komisione parlamentare. Grupi parlamentar i Vetëvendosjes i ka 5 anëtarë në komisionet parlamentare, PDK i ka dy, ndërsa të tjerët i kanë nga 1 anëtar. Ky është proporcionaliteti, përfaqësimi dhe fuqia politike, që del nga rezultati i zgjedhjeve, në këtë rast nga 28 dhjetori i vitit të kaluar”, kishte thënë Haxhiu
Edhe më 4 maj, pasi që vendi kishte hyrë në zgjedhje të jashtëzakonshme, Haxhiu përsëriti këtë qëndrim.
“E rëndësishme ka qenë për mua që të kuptoj nëse do të bllokohet KQZ në rast se nuk e ka një anëtar, kam marrë informacione që asgjë nuk rrezikohet nga kjo situatë, prandaj do të veproj në përputhje me përgjegjësitë atëherë kur e konsideroj që duhet të veproj. I kam dy kërkesa njëra nga VV-ja e tjetra nga PDK-ja, por ju e dini që mendimi im për këtë është tash e sa kohë jo prej momentit kur unë e kam marrë detyrën… nuk e di a do të ketë, do të shohim a do të ketë, por e rëndësishëm për mua është që të respektohet fuqia e subjekteve politike që ia kanë dhënë qytetarët e Kosovës, pra fuqia, proporcionaliteti, përfaqësimi besoj që janë shumë të rëndësishme”, kishte thënë Haxhiu para gazetarëve.













