Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është distancuar nga deklarata e ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, duke thënë se qëndrimi i saj nuk përfaqëson as vullnetin e tij dhe as politikën zyrtare të Beogradit.
Gjatë qëndrimit në Kiev, ku po merr pjesë në Samitin Evropa Juglindore–Ukrainë, Vuçiq e cilësoi deklaratën e ministres si të papërgjegjshme dhe theksoi se politika e Serbisë, sipas tij, është e orientuar drejt dialogut.
“Ishte një deklaratë e pamenduar dhe e papërgjegjshme. Nuk është politika ime dhe as politika e Qeverisë së Serbisë. Duhet ta themi këtë qartë”, deklaroi Vuçiq.
Reagimi i presidentit serb erdhi pas deklaratave të Paunoviqit, e cila në një intervistë televizive kishte thënë se, po të kishte qenë në pozitën e ish-presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviq, do të kishte ndërmarrë masa për spastrimin etnik të Kosovës në vitin 1998.
Deklarata e ministres shkaktoi reagime të shumta në Kosovë dhe më gjerë. Institucionet e Kosovës e shpallën Paunoviqin person të padëshiruar, duke i ndaluar hyrjen dhe kalimin transit në territorin e vendit.
Nga Prishtina është kërkuar që Serbia të distancohet nga retorika dhe politikat e periudhës së Millosheviqit, duke theksuar se deklarata të tilla rikthejnë kujtesën për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
Lufta e viteve 1998-1999 në Kosovë la mbi 13 mijë të vrarë dhe mijëra persona të zhdukur, ndërsa udhëheqës të lartë politikë dhe ushtarakë të ish-Jugosllavisë janë dënuar nga Tribunali i Hagës për krime lufte dhe dëbim të civilëve shqiptarë.












