Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

Kosova sërish në vendnumëro: Fondet, reformat dhe ekonomia në rrezik

16/07/2026 - 18:59
në Kryesore, Lajme
A A
Kosova sërish në vendnumëro: Fondet, reformat dhe ekonomia në rrezik
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Çdo ditë pa institucione të reja e bën faturën e krizës politike në Kosovë më të lartë: miliona euro nga fondet e Bashkimit Evropian mund të humbasin, reformat kanë mbetur pezull, bizneset dhe investitorët përballen me pasiguri…

Më shumë se një muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, partitë politike ende nuk kanë gjetur formulën për krijimin e institucioneve të reja.

Në vend të sinjaleve për kompromis, zhvillimet e ditëve të fundit kanë shtuar pasigurinë se kur Kosova do të ketë një Kuvend funksional dhe një Qeveri të re.

Shpresa për një marrëveshje të shpejtë u zbeh më 15 korrik, kur kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, njoftoi se do t’i pezullojë bisedimet me partinë fituese, Lëvizjen Vetëvendosje, për shkak të nismës së disa bashkëpartiakëve për shkarkimin e tij.

Një koalicion mes LVV-së dhe LDK-së shihej si alternativa më e mundshme për krijimin e institucioneve – nga Kuvendi deri te presidenti.

LVV-ja thotë se vazhdon të mbetet e gatshme për marrëveshje me partitë shqiptare.

“Ne përpiqemi maksimalisht. Jemi aktivë e konstruktivë për takime dhe bashkëbisedime, të hapur e të sinqertë për marrëveshje. Shpresojmë që opozita nuk do të barrikadohet kundër dhe të na çojë sërish në zgjedhje”, thotë për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Arlind Manxhuka.

Radio Evropa e Lirë kontaktoi disa figura të LDK-së, përfshirë Armend Zemajn, Florian Dushin dhe Lutfi Hazirin, për t’i pyetur nëse zhvillimet brenda partisë së tyre rrezikojnë negociatat për formimin e institucioneve të reja dhe sa përgjegjësi mban LDK-ja për këtë proces, por asnjëri prej tyre nuk iu përgjigj kërkesës për koment.

Sekretari i LDK-së, Ilir Ferati, tha të enjten para gazetarëve se mbajtja e Kuvendit të jashtëzakonshëm të partisë është bërë urgjente, për shkak të afatit për konstituimin e institucioneve.

Ai nuk tregoi se kur mund të mbahet ai takim, ndërkohë që afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës është 7 gushti.

Dy partitë e tjera që, të paktën teorikisht, mund të siguronin një shumicë të qëndrueshme parlamentare me LVV-në, e kanë bërë tashmë të qartë qëndrimin e tyre: Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se do të mbetet në opozitë, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk i është përgjigjur as ftesës së parë të kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, për takim.

A ka mbetur një rrugëdalje?

Analisti politik dhe profesori i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Rrahman Paçarizi, thotë se ngërçi aktual nuk është krijuar vetëm nga zhvillimet e fundit në LDK, por është rezultat i raporteve të ndërtuara ndër vite ndërmjet partive politike.

Sipas tij, refuzimi i PDK-së dhe AAK-së për të hyrë në koalicion me LVV-në lidhet me këto raporte, ndërsa zhvillimet e fundit në LDK e kanë zbehur edhe mundësinë që kjo parti të bëhet partneri i LVV-së.

Ai dyshon se LDK-ja, edhe nëse arrin ta tejkalojë krizën e brendshme, do të mund t’i sigurojë të 18 votat e deputetëve të saj për një marrëveshje me LVV-në.

“Pavarësisht nga rezultati, LDK-ja do të dalë jounike nga Kuvendi i saj, nëse për asgjë tjetër, atëherë të paktën në kuptim të mundësisë së orientimit të 18 votave drejt një marrëveshjeje eventuale”, thotë Paçarizi për Radion Evropa e Lirë.

Ai vlerëson se përgjegjësia për zhbllokimin e situatës nuk mund t’i lihet vetëm një partie dhe shton se përpjekjet për ta zhvendosur fajin te kundërshtari, vetëm sa e afrojnë vendin drejt një fushate të re zgjedhore, në vend se drejt një marrëveshjeje.

“Ky lloj i ndërtimit të rrëfimit çon kah një situatë e re parazgjedhore, ku subjektet politike përpiqen të marrin sa më pak faj mbi vete. Nëse duam të diskutojmë fajin, partitë politike, përgjithësisht, e kanë pjesën e tyre të përgjegjësive dhe të meritave për cilëndo nga situatat që krijohen”, thotë Paçarizi.

Qëndrim të ngjashëm ka edhe Njomza Arifi, drejtoreshë ekzekutive në Grupin për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).

Ajo thotë se, ndonëse përgjegjësia kryesore për krijimin e institucioneve bie mbi partinë fituese të zgjedhjeve, zgjidhja kërkon angazhim nga i gjithë spektri politik.

“Në secilin rast, i gjithë spektri politik duhet të angazhohet në gjetjen e një konsensusi që sjell stabilitet institucional afatgjatë në vend, duke u zhveshur nga interesat partiake”, thotë Arifi për Radion Evropa e Lirë.

Sipas saj, negociatat mes LVV-së dhe LDK-së krijuan fillimisht përshtypjen se një marrëveshje ishte e mundur, por zhvillimet e fundit në LDK e çuan këtë perspektivë në pikëpyetje.

“Se a është ky shansi i fundit i humbur mbetet e paqartë, për shkak se nuk dihet se kur mund të mblidhet Kuvendi i LDK-së dhe cili do të jetë epilogu i tij, duke pasur parasysh edhe afatet kushtetuese që tashmë kanë filluar të rrjedhin”, thotë Arifi.

Lëvizja Vetëvendosje, së bashku me deputetët e komuniteteve joshumicë që tradicionalisht mbështesin formimin e institucioneve, ka vota të mjaftueshme për konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e kryetarit të tij.

Por, sfida fillon menjëherë pas këtij hapi: zgjedhja e presidentit kërkon të paktën 80 vota në Kuvend – numra që LVV-ja nuk i ka.

Pikërisht për këtë arsye, Kurti ka nisur javën e kaluar negociatat me partitë e tjera shqiptare.

Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda afatit kushtetues – deri në 60 ditë nga dita e konstituimit të Kuvendit – vendi shkon automatikisht në zgjedhje të reja.

Koha nuk është në anën e Kosovës

Pas takimit që zhvilloi me Abdixhikun më 10 korrik, Kurti deklaroi se kishte ende kohë për të gjetur një marrëveshje për konstituimin e institucioneve.

Por, sipas njohësve të zhvillimeve politike, çdo ditë e humbur e bën më të rëndë çmimin e ngërçit institucional.

“Zvarritja gjithmonë ka kosto”, thotë Paçarizi.

Sipas tij, Kosova tashmë po humb terren në raport me partnerët ndërkombëtarë, në një kohë kur vendet e tjera të rajonit po avancojnë në procesin e integrimit evropian.

“Bota, përkatësisht institucionet e BE-së, NATO-ja e të tjerat, nuk i përshtatin oraret me tekat tona meskine dhe të vogla. Ne jemi ata që duhet t’u përshtatemi dinamikave të tyre”, thotë Paçarizi.

Pas gati dy vjetësh bllokadë institucionale, Arifi thotë se çdo vonesë e re dërgon sinjale negative te partnerët ndërkombëtarë dhe e lë Kosovën edhe më prapa në procesin e integrimit evropian.

“Me pothuajse dy vjet stagnim, vendi ynë vazhdon të dërgojë sinjal negativ te partnerët ndërkombëtarë… Kosova nuk gëzon as statusin e vendit kandidat dhe mbetet e fundit në procesin e negociimit me Bashkimin Evropian”, thotë ajo.

Por, kostoja e vonesave nuk matet vetëm me ritmin e integrimit evropian.

Ngërçi politik tashmë ka filluar të reflektohet edhe në financat publike – me rrezikun që Kosova të humbasë dhjetëra miliona euro nga fondet e Planit të Rritjes të BE-së.

Gazetari me përvojë në çështjet evropiane, Augustin Palokaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se mungesa e institucioneve funksionale rrezikon zbatimin e reformave që janë kusht për përfitimin e këtyre fondeve.

“Nuk është sekret as në Bruksel e as në Prishtinë se arsyeja kryesore e humbjes së këtyre mjeteve është kriza politike dhe mungesa e institucioneve, përmes të cilave do të kalonin reformat, pasi një pjesë e tyre duhet të miratohen në Kuvendin e Kosovës”, thotë Palokaj.

Kosova e dorëzoi raportin për zbatimin e hapave reformues më 15 korrik, në ditën e fundit të afatit.

Burime të Komisionit Evropian i konfirmuan Radios Evropa e Lirë se raporti tashmë është pranuar dhe se do t’i nënshtrohet vlerësimit.

Në bazë të këtij procesi do të përcaktohet se sa reforma janë zbatuar dhe sa fonde mund të shpërndahen.

Vetë kryenegociatori i Kosovës me BE-në, Jeton Zulfaj, paralajmëroi ditë më parë se vendi rrezikon të humbasë mbi 40 milionë euro, pikërisht për shkak të vonesave në zbatimin e reformave.

Ai sqaroi se pesë nga gjashtë reformat e pambyllura varen nga miratimi i ligjeve në Kuvend – një proces që ka mbetur i bllokuar për shkak të mosfunksionimit të institucioneve.

Palokaj thotë se ekziston rreziku që një pjesë e mjeteve të humbura, të mos rikuperohen më.

“Fondet e pashfrytëzuara nga Kosova, Serbia apo Bosnje e Hercegovina mund t’u rialokohen vendeve që kanë përmbushur me më shumë sukses kriteret, si Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Shqipëria”, thotë ai.

Në kuadër të Planit të Rritjes 2024-2027, Kosovës iu ndanë rreth 882 milionë euro – 253 milionë euro grante dhe 629 milionë euro kredi – duke e bërë atë përfituesen më të madhe për kokë banori në Ballkanin Perëndimor.

Pasojat nuk ndalen te fondet e BE-së

Përtej fondeve evropiane, pasojat e ngërçit politik i ndien edhe ekonomia.

Profesori i kësaj fushe në Universitetin e Prishtinës, Mejdi Bektashi, thotë se mungesa e institucioneve funksionale frenon vendimmarrjen ekonomike, dobëson besimin e investitorëve dhe e bën më të vështirë planifikimin afatgjatë për bizneset.

Një nga pasojat më të dukshme, sipas tij, është rritja e çmimeve.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se inflacioni në qershor ishte 6% më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar – i nxitur nga shtrenjtimi i transportit, strehimit, energjisë, ujit dhe produkteve ushqimore.

Nëse pasiguria politike vazhdon, paralajmëron Bektashi, ajo mund të rrezikojë edhe stabilitetin financiar.

“Inflacioni i lartë ul depozitat në bankat komerciale, rrit nevojën për kredi dhe shton barrën financiare për qytetarët”, thotë Bektashi për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se pasiguria institucionale i bën edhe investitorët e huaj më të rezervuar, ndërsa prodhuesit vendorë e kanë më të vështirë të zgjerojnë aktivitetin. Si pasojë, ekonomia mbetet gjithnjë e më e varur nga importet.

E, këtë e tregojnë edhe të dhënat e ASK-së: gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, vlera e importeve arriti në rreth 3.6 miliardë euro, nga 3.2 miliardë euro në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

JU REKOMANDOJMË

Ismet Beqiri kërkon publikisht largimin e Abdixhikut: Kur i humb zgjedhjet Kryetari lëshon rrugë

Ismet Beqiri kërkon publikisht largimin e Abdixhikut: Kur i humb zgjedhjet Kryetari lëshon rrugë
16/07/2026 - 19:54

Ismet Beqiri nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka reaguar për zhvillimet në parti. Ai ka thënë se LDK-ja duhet të shkojë në zgjedhje në të gjitha nivelet...

Më shumëDetails

Kompania e ish zv.ministrit Hyzer Gashi kapet duke shitur naftë ilegalisht, “Besimi Group” dërgohet në Gjykatë nga Inspektorati

Kompania e ish zv.ministrit Hyzer Gashi kapet duke shitur naftë ilegalisht, “Besimi Group” dërgohet në Gjykatë nga Inspektorati
16/07/2026 - 19:34

Industria e shitjes së naftës në Kosovë mbetet ndër më të fuqishme dhe profitabilet. Por njëkohësisht pronarët e pompave të derivateve janë të njohur për dallevere me çmime...

Më shumëDetails

Bajrami ngre alarmin te Sorenseni për deklaratën e ministres serbe: Shkelje e Marrëveshjes së Brukselit

Bajrami ngre alarmin te Sorenseni për deklaratën e ministres serbe: Shkelje e Marrëveshjes së Brukselit
16/07/2026 - 19:29

Ambasadori i Kosovës në Bruksel dhe njëherësh kreu i ekipit negociator, Agron Bajrami, ka bërë të ditur se ka adresuar zyrtarisht te emisari i Bashkimit Evropian për dialogun,...

Më shumëDetails

Rama reagon pas kritikave për Paunoviqin: S’bëhemi kor histerik sa herë del një çyryk në Beograd

Rama reagon pas kritikave për Paunoviqin: S’bëhemi kor histerik sa herë del një çyryk në Beograd
16/07/2026 - 18:28

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ndaj kritikave për mungesën e një deklarate të drejtpërdrejtë nga ana e tij lidhur me komentet e ministres serbe të Drejtësisë,...

Më shumëDetails

Kamberi: Deklaratat e ministres serbe kanë krijuar frikë dhe pasiguri te shqiptarët në Luginë të Preshevës

Deklarata skandaloze e ministres serbe, Kamberi: Do të inicioj kërkesë për shkarkimin e saj
16/07/2026 - 18:20

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka deklaruar se qëndrimet e ministres serbe Jelena Paunoviq kanë shkaktuar shqetësim dhe ndjenjë pasigurie te shqiptarët në Luginën e...

Më shumëDetails

Ulja e dënimit ndaj Edmond Laçit, flet vëllai i Gjyljeta Ukellës: Drejtësia ishte kundër motrës sonë, na vranë për së gjalli

Ulja e dënimit ndaj Edmond Laçit, flet vëllai i Gjyljeta Ukellës: Drejtësia ishte kundër motrës sonë, na vranë për së gjalli
16/07/2026 - 17:30

Ditën e sotme, Gjykata Supreme ka ndryshuar vendimin ndaj Edmond Lajçit, të dënuarit për vrasjen e gruas, nga burgim i përjetshëm në 30 vite. Lidhur me këtë çështje,...

Më shumëDetails

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • Hoxha ofendon rëndë komandantët e UÇK-së: Po kujtojnë se e kanë çliru…(Video)

    Hoxha ofendon rëndë komandantët e UÇK-së: Po kujtojnë se e kanë çliru…(Video)

    164 Shpërndaje
    Shpërndaje 66 Tweet 41
  • Edhe “Fitorja” Sh.P.K. e Tahir Malokut kapet duke abuzuar me çmime të naftës, shteti e dërgon në gjykatë

    96 Shpërndaje
    Shpërndaje 38 Tweet 24
  • Sach Pizza mohoi praninë e salmonelës, por raporti mjekësor konfirmon diagnozën Salmonellosis A02.0

    82 Shpërndaje
    Shpërndaje 33 Tweet 21
  • Krimet Kibernetike zbarkojnë në Prizren, arrestohet nipi i ish-deputetit Haxhi Avdyli, ka urdhër-arrest nga SHBA

    85 Shpërndaje
    Shpërndaje 34 Tweet 21
  • Zhvillimet e fundit në LDK, Tërmkolli thotë se shkatërrimi i këtij subjekti është projekt që i kalon kufijtë e Kosovës

    80 Shpërndaje
    Shpërndaje 32 Tweet 20

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë