Deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Nezir Kraki ka thënë se është e nevojshme të shtyhet thirrja e seancës për konstituimin e Kuvendit, pas zhvillimeve në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Ai ka thënë se është mirë që në seancë të shkohet me një ide të qartë.
“Idealja do të ishte që ku ta kemi seancën e konstituimit ta kemi një tablo pak më të qartë se si do të jetë konfiguracioni politik, a do të jenë të gjitha pozitat në pako që të votohen dhe të ecët përpara. Është e nevojshme të pritet edhe pak, sidomos me ngjarjet e fundit që ndodhën në LDK, të presim edhe pak çka po ndodhë aty, kohë ka. Kur të thirret seanca të kemi një plan veprimi më të qartë”, ka thënë Kraki në emisionin “Këndi Debatit” në Tëvë1.
Ai ka thënë se Kosova nuk ka nevojë për zgjedhje, dhe duhet të shmangen.
Kraki ka thënë se partitë opozitare nuk kanë shfrytëzuar mundësitë e dhëna.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka njoftuar se ka pezulluar bisedimet me LVV-në pas thirrjes së Kuvendit të jashtëzakonshëm, ku do të kërkohet shkarkimi i i tij.
Ndërsa, Bedri Hamza kryetar i PDK-së, pas takimit me Kurtit javën e kaluar tha se kjo parti në këtë mandat do të qëndrojë në opozitë.
Aleanca ka refuzuar takimin me Kurtin, duke kërkuar që kërkesat e saj të pranohen nga Qeveria Kurti, në këmbim të saj do ta bëjnë kuorumin për presidentin.
Zëdhënsi i Qeverisë të enjten tha se janë ta gatshëm për të vazhduar bisedimet me subjektet politike.














