Në një intervistë për televizionin serb Prva, Paunoviq deklaroi se përdorimi i termit “spastrim etnik” ishte “i pafat”, duke shtuar se kjo i ka sjellë reagime të shumta.
“E vetmja gjë është se ndoshta termi ‘spastrim etnik’ ishte i pafat. Me gjasë do të thosha ‘deportim’, thjesht për të shmangur që të më kryqëzojnë”, është shprehur ajo.
Paunoviq përsëriti gjithashtu se një pjesë e intervistës së saj ishte nxjerrë jashtë kontekstit, por njëkohësisht ritheksoi qëndrimet që kishte shprehur më parë.
Ajo tha se, sipas saj, një veprim i tillë nuk do të nënkuptonte vrasje të njerëzve.
“Jo me likuidimin e askujt, por thjesht me vullnet të lirë”, deklaroi Paunoviq.
Ministrja shtoi se do të largohej nga posti i saj vetëm nëse shumica e qytetarëve të Serbisë do të vlerësonin se deklaratat e saj përbëjnë problem për vendin.
Deklaratat e Paunoviqit pasojnë intervistën e saj të 11 korrikut, kur, duke u pyetur se çfarë do të kishte bërë ndryshe po të ishte në vendin e ish-presidentit serb Slobodan Millosheviq në vitin 1998, ajo u përgjigj se do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.














