Policia e Kosovës ka iniciuar 51 raste për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” në katër komunat veriore gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, ndërsa ka arrestuar 18 persona të dyshuar dhe ka sekuestruar armë automatike, granata dore, eksploziv, uniforma ushtarake dhe pajisje të tjera ushtarake.
Sipas Policisë së Kosovës, numri më i madh i rasteve është regjistruar në Zubin Potok, me rreth 25 raste të iniciuara.
Në lidhje me këto zhvillime, njohësit e çështjeve të sigurisë vlerësojnë se institucionet e Kosovës kanë intensifikuar operacionet për identifikimin dhe neutralizimin e rrjeteve të armëve ilegale dhe infrastrukturës së grupeve të lidhura me Beogradin zyrtar në veri të vendit.
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në një prononcim për Ekonomia Online, tha se zhvillimet në veri duhet të analizohen në aspektin e sigurisë publike dhe asaj kombëtare, duke kujtuar sulmin terrorist në Banjskë në vitin 2023.
“Do të duhet të analizojmë në aspektin vertikal zhvillimet që kanë karakterizuar çështjet e sigurisë në pjesën veriore, respektivisht asaj publike dhe asaj nacionale. Pra që nga aktivitetet e sulmit terrorist shtetëror të Serbisë mbi Republikën e Kosovës në Banjskë në 2023-ën, ka patur avancim të mëtejshëm të aspektit të zhvillimeve që e kanë ofruar qytetarin dhe sigurinë për qytetarët në pjesën veriore të Republikës së Kosovës”, tha ai.
Shala tha se Serbia ka zhvendosur aparaturën e saj shtetërore në funksion të grupeve të lidhura me Beogradin zyrtar.
“Por çka është kruciale dhe esenciale, mund të themi që qendrat, punktet dhe nënpunktet pra qendrat janë veprimet operative ku shteti i Serbisë në mënyrë permanente dhe konstante ka zhvendos operaturën e saj shtetërore në shërbim të grupeve terroriste apo grupeve të cilat janë të lidhura me Beogradin zyrtar. Më pastaj, punktet dhe pikat pra janë punktet ku më pastaj shpërndahen në punktet të ndryshme brenda territorit të Republikës së Kosovës, ku sipas të gjitha gjasave aty është bërë graviteti i zhvillimeve dhe mbledhja e informacioneve relevante dhe njëkohësisht shpërndarja e mjeteve apo municioneve luftarake”, tha ai.
Sipas tij, institucionet e sigurisë tashmë janë duke i identifikuar dhe neutralizuar këto pika operative.
“Dhe pikat janë pikërisht këto që tanimë institucionet tona të sigurisë janë duke i hasur në veprimet e tyre operative duke e minimizuar që nga këto pika, punkte dhe qendra që tanimë qendrat janë larguar nga territori i Republikës së Kosovës dhe punktet që në këto pika fokusi është që të minimizohen, të neutralizohen dhe njëkohësisht gjithë armatimi i cili ishte shpërndarë për vite të tëra është duke u grumbulluar nga ana e mekanizmit të Policisë së Kosovës, në bashkërendim në aspektin operativ me mekanizmat e tjerë të sigurisë siç është AKI-ja, po njëkohësisht edhe bashkëpunimi i sinqertë reciprok me qytetarët e komunitetit serb në pjesën veriore”, tha ai.
Edhe ish-koloneli i Policisë së Kosovës, Refki Morina, tha se situata në Mitrovicën Veriore vazhdon të mbetet e brishtë për shkak të zbulimit të vazhdueshëm të armëve ilegale në objekte të pabanuara.
“Po, situata e përgjithshme në Mitrovicën Veriore është e brishtë. Kjo paraqet, kjo brishtësi vjen më shumë për shkak se patrullat policore, gjatë patrullimeve në pjesët e Mitrovicës Veriore, hasin në objekte të pabanuara ku aty gjejnë armë ilegale, të cilat në një mënyrë apo tjetër, do të thotë, janë të ardhura ose të mbetura prej kohës në pjesën veriore të Mitrovicës. Dhe për këtë arsye, inteligjenca policore bën të pamundurën që të argumentohet, të ketë argumente, prova dhe t’i paraprijë operacioneve policore, sidomos patrullave”, tha ai.
Morina theksoi se armët e gjetura duhet t’i nënshtrohen ekzaminimeve balistike për të verifikuar nëse janë përdorur në raste kriminale apo sulme terroriste.
“Gjithashtu, vlen të ceket se armët të cilat gjenden në këto shtëpi të pabanuara, duhet të shikohet menjëherë aspekti balistik i tyre, për arsye se këto armë mund të jenë ato të cilat janë përdorur për ndonjë vrasje, për ndonjë akt terrorist ose në forma të tjera, në mënyrë që ato të kontrollohen në mënyrën më detajore të mundshme”, tha ai.
Ai shtoi se bashkëpunimi i qytetarëve serbë me Policinë e Kosovës është përmirësuar në periudhën e fundit.
“Është me rëndësi të theksohet se tani kemi një bashkëpunim më të mirë të qytetarëve me Policinë e Kosovës në pjesën veriore dhe kjo vjen më shumë për shkak të asaj se këto patrullime të vazhdueshme dhe gjetje të municioneve dhe armëve ilegale në shtëpitë e pabanuara, bën që të ngrihet besimi i qytetarëve te Policia e Kosovës, me punën dhe me aktivitetet e tërësishme”, tha ai.
Policia e Kosovës, në një përgjigje me shkrim për Ekonomia Online, bëri të ditur se gjatë periudhës 1 janar – 30 qershor 2026 në rajonin e Mitrovicës Veriore janë sekuestruar armë automatike AK-47, pushkë M-48, pushkë gjuetie, granata dore të llojeve të ndryshme, municion të kalibrave të ndryshëm, uniforma ushtarake, radiolidhje, dylbi, gazmaska dhe sasi eksplozivi.
“Ju konfirmojmë se në Drejtorinë Rajonale të Policisë Mitrovicë Veri, e cila mbulon komunat Mitrovicë Veri, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, gjatë periudhës 01.01.2026 – 30.06.2026 janë iniciuar gjithsej 51 raste për veprën penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’. Numri më i madh i rasteve është iniciuar në komunën e Zubin Potokut, me rreth 25 raste”, thuhet në përgjigjen e Policisë. Gjatë zhvillimit të hetimeve, Policia ka arrestuar 18 persona të dyshuar në lidhje me këto raste, ndërsa janë identifikuar edhe persona të tjerë, të cilët aktualisht janë në kërkim nga Policia. Gjatë këtyre rasteve janë sekuestruar armë të ndryshme, përfshirë armë automatike AK-47, pushkë M-48, pushkë gjuetie, granata dore të llojeve të ndryshme, municion të kalibrave të ndryshëm, uniforma ushtarake, radiolidhje, dylbi, gazmaska, sasi eksplozivi etj.”, thuhet në përgjigjen e Policisë për Ekonomia online.














