Njohësi i çështjeve Kushtetuese, Mazllum Baraliu në një prononcim për “Front Online” thotë se mosthirrja e seancës konstituive deri më tani lidhet me përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje politike mes partive.
Baraliu shprehet se afati maksimal për thirrjen e seancës së parë është 30 ditë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore.
“30 ditë pas certifikimit të rezultateve është afati maksimal brenda të cilit duhet të thirret seanca e parë. Nuk po e thërrasin me arsyetim se po presin që të ketë një dialog me partitë opozitare, që të gjendet një zgjidhje për presidentin, eventualisht një marrëveshje për të bashkëqeverisur me njërën nga partitë opozitare”, ka deklaruar Baraliu.
Ai ka theksuar se çështja e zgjedhjes së presidentit duhet të jetë pjesë e marrëveshjes politike që në fillim.
“Çështja e presidentit duhet të jetë prioritet në një marrëveshje, e pastaj të bëhet Qeveria dhe Kuvendi”, është shprehur Baraliu.













