Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

Ministrja serbe që bëri deklaratë fashiste për shqiptarët paguhej si drejtoreshë në një institucion të mbyllur në Kosovë

20/07/2026 - 15:29
në Kryesore, Lajme
A A
Ministrja serbe që bëri deklaratë fashiste për shqiptarët paguhej si drejtoreshë në një institucion të mbyllur në Kosovë
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Para se të emërohej ministre në Qeverinë e Serbisë në vitin 2025, Snezhana Paunoviq merrte pagë si deputete, por edhe si drejtoreshë e Institucionit Farmaceutik të Pejës në Kosovë.

Ky institucion, me seli në Gorazhdec, nuk ekziston zyrtarisht që nga viti 2021.

Radio Evropa e Lirë konstatoi se ai është mbyllur më 7 tetor 2021, me vendim të Qeverisë së Serbisë.

Se farmacia nuk ekziston më, e konfirmon edhe gazetari i Radio Gorazhdecit, Damjan Portiq.

Kërkesën për ta fshirë nga regjistri i institucioneve shëndetësore në vitin 2021 e kishte dorëzuar vetë Paunoviq.

Megjithatë, ajo vazhdoi të merrte pagë si ushtruese e detyrës së drejtoreshës së Institucionit Farmaceutik të Pejës deri më 15 prill 2025, kur u emërua ministre.

Kjo dëshmohet nga deklarimet e të ardhurave dhe pasurisë që vetë Paunoviq i ka dorëzuar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit në Serbi.

Dorëzimi i këtyre deklarimeve është detyrim ligjor për zyrtarët publikë.

Përgjigje nuk dha kabineti i ministres Paunoviq, e cila nxiti reagime të ashpra në rajon dhe në Bashkimin Evropian pasi deklaroi se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht” Kosovën.

Më pas, ajo pretendoi se deklarata e saj ishte nxjerrë jashtë kontekstit, por shtoi se qëndron pas çdo fjale të thënë.

E vetmja gjë që do të ndryshonte, sipas saj, do të ishte përdorimi i termit “dëbim” në vend të “spastrimit etnik”, për të shmangur, siç u shpreh, linçimin publik.

Paunoviq u kërkoi falje presidentit dhe kryeministrit të Serbisë për reagimet që shkaktoi deklarata e saj, por jo shqiptarëve të Kosovës.

Autoritetet e Kosovës e shpallën atë person të padëshirueshëm, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se deklarata e saj nuk pasqyron qëndrimin e autoriteteve në Beograd.

Megjithatë, deri më tani, nuk ka pasur përgjigje ndaj kërkesave të një pjese të opozitës serbe për shkarkimin e saj.

Sa fitoi Paunoviq si drejtoreshë?

Në deklarimin e pasurisë dhe të ardhurave për vitin 2025, Paunoviq ka deklaruar se për 11 vjet ka qenë në krye të Institucionit Farmaceutik të Pejës.

Sipas deklarimit, ajo ka ushtruar detyrën e drejtoreshës nga 16 prilli 2014 deri më 15 prill 2025.

Një ditë më vonë, ajo u emërua ministre për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale në Qeverinë e Serbisë.

Me marrjen e postit ministror, asaj i pushuan automatikisht funksionet e tjera, në përputhje me ligjin.

Sipas një analize, gjatë 11 vjetëve sa drejtoi, sipas dokumenteve zyrtare, Institucionin Farmaceutik të Pejës, Paunoviq ka marrë rreth 146 mijë euro paga nga buxheti i Serbisë.

Regjistri i Serbisë nuk tregon nëse ky institucion farmaceutik kishte të punësuar dhe sa ishte numri i tyre.

Po ashtu, nuk janë të qasshme publikisht as raportet financiare që do të tregonin mënyrën se si ka funksionuar ky institucion.

Selia e tij zyrtare nuk ishte në Pejë, por në Gorazhdec – një fshat me shumicë serbe pranë Pejës.

Sot, ai institucion nuk ekziston më.

Gazetari i Radios Gorazhdeci, Damjan Portiq, thotë se farmacia ka funksionuar deri para disa vitesh, por nuk ka qenë asnjëherë e furnizuar mirë.

“Ishin në dispozicion vetëm barnat më bazike”, thotë ai, duke shtuar se drejtuesit e Institucionit Farmaceutik, për vite me radhë, nuk bënë pothuajse asgjë për t’ua lehtësuar qytetarëve qasjen në barna.

Sipas tij, sot në Gorazhdec funksionon vetëm një farmaci në kuadër të Shtëpisë së Shëndetit.

Pas luftës së vitit 1999, kur humbi kontrollin faktik mbi Kosovën, Beogradi zyrtar vazhdoi të mbajë nën administrimin e tij një numër ndërmarrjesh dhe institucionesh publike, duke i zhvendosur ato në Serbi ose në komunat e Kosovës me shumicë serbe.

Po ashtu, u krijuan institucione të reja lokale dhe organe komunale brenda sistemit serb, të cilat autoritetet në Prishtinë, me arsyetimin se ishin të paligjshme, nisën t’i mbyllnin në vitin 2024.

Ndërkohë, institucionet shëndetësore dhe arsimore që funksionojnë sipas sistemit serb në mjediset me shumicë serbe, vazhdojnë të operojnë në Kosovë si pjesë e sistemit paralel.

Serbia i themelon, i financon dhe i mbyll këto institucione sipas legjislacionit të saj, si dhe emëron drejtuesit e tyre.

Kështu, Institucioni Farmaceutik i Pejës ekzistoi deri më 7 tetor 2021.

Atë ditë, Paunoviq, në cilësinë e ushtrueses së detyrës së drejtoreshës, dorëzoi kërkesën për shuarjen e institucionit.

Në kërkesë thuhej se Institucioni Farmaceutik është fshirë nga regjistri në bazë të një vendimi të Qeverisë së Serbisë, të miratuar disa muaj më herët, në shkurt të vitit 2021.

Në dokument sqarohej se ishte themeluar Institucioni Farmaceutik në Mitrovicën e Veriut.

Si rezultat, pushuan së ekzistuari institucionet farmaceutike të Pejës, Prizrenit, Gjilanit dhe Prishtinës.

Ndonëse institucioni në Pejë është shuar zyrtarisht, Paunoviq vazhdoi ta deklaronte pagën e drejtoreshës si të ardhur të saj.

Në deklarimet e pasurisë të dorëzuara në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit në Serbi për vitet 2023 dhe 2024, ajo deklaroi se, si ushtruese detyre e drejtoreshës së Institucionit Farmaceutik në Pejë, merr një pagë mujore prej 131 mijë dinarësh, ose rreth 1.100 euro.

“Kjo nuk është hera e vetme që disa persona mbajnë pozita pa kryer asnjë punë, por vazhdojnë të paguhen nga buxheti i Serbisë, ndërkohë që shumë njerëz që jetojnë në Kosovë nuk kanë mundur të punësohen”, thotë Portiq.

Vetë Paunoviq ka deklaruar më herët për mediat në Beograd se nuk ka qenë në Kosovë që nga viti 2022, pasi pretendon se autoritetet në Prishtinë nuk e lejojnë të hyjë në territorin e Kosovës.

Në fund të vitit 2023, Qeveria e Serbisë miratoi një vendim për riorganizimin e institucioneve farmaceutike në Kosovë.

Sipas këtij vendimi, do të rithemeloheshin barnatore në Pejë dhe në disa qytete të tjera të Kosovës.

“Nga dita e regjistrimit në regjistrin përkatës, institucioni farmaceutik fillon punën”, thuhet në vendim.

Megjithatë, deri më sot, këto institucione nuk janë regjistruar.

Gjashtë deklarime të pasurisë dhe të ardhurave

Deri më tani, Snezhana Paunoviq ka dorëzuar gjashtë deklarime të pasurisë dhe të ardhurave në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit në Serbi.

Në deklarimin e parë, të dorëzuar në janar të vitit 2014, ajo raportoi se mbante dy funksione: deputete në Kuvendin e Serbisë dhe kryetare e Bordit Mbikëqyrës të Aeroportit “Nikolla Teslla” në Beograd.

Paunoviq u bë deputete për herë të parë në tetor të vitit 2013, ndërsa në Bordin Mbikëqyrës të aeroportit ishte emëruar në korrik të po atij viti.

Ajo i mori këto poste në një periudhë kur Partia Përparimtare Serbe (SNS), e udhëhequr nga presidenti aktual, Aleksandar Vuçiq, po forconte pushtetin së bashku me partneren e saj të koalicionit, Partinë Socialiste të Serbisë (SPS), ku Paunoviq është zyrtare e lartë.

Sipas deklarimit të saj, në atë kohë merrte dy paga, me një vlerë totale prej mbi 1.200 eurosh në muaj.

Si deputete paguhej rreth 710 euro, ndërsa për postin e kryetares së Bordit Mbikëqyrës të aeroportit merrte edhe rreth 560 euro.

Mandati i saj si deputete përfundoi në vitin 2014, kur Kuvendi u shpërnda për shkak të zgjedhjeve.

Po atë vit, ajo mori drejtimin e Institucionit Farmaceutik në Pejë – post në të cilin do të qëndronte për 11 vjet.

Qeveria e Serbisë miratoi vendimin për emërimin e saj si ushtruese detyre e drejtoreshës më 7 mars 2014.

Dokumenti është nënshkruar nga Ivica Daçiq, kryeministër i atëhershëm dhe lider i Partisë Socialiste të Serbisë.

Pas një ndërprerjeje gati dyvjeçare, Paunoviq u rikthye në Kuvendin e Serbisë në vitin 2016. Ajo u rizgjodh deputete edhe pas zgjedhjeve të viteve 2020 dhe 2022.

Gjatë kësaj periudhe, krahas pagës si drejtoreshë, ajo merrte kompensim edhe si deputete.

Ky kompensim u takon deputetëve që, njëkohësisht, ushtrojnë edhe një funksion tjetër publik për të cilin marrin pagë.

Nga gushti i vitit 2022 deri në prill të vitit 2025, Paunoviq ishte edhe nënkryetare e Kuvendit të Serbisë, para se të emërohej ministre.

Shpenzimet e udhëtimit nga Peja

Qendra për Gazetari Hulumtuese e Serbisë (CINS) kishte raportuar më herët se Snezhana Paunoviq kishte përfituar rreth 22 mijë euro nga Kuvendi i Serbisë si kompensim për shpenzimet e udhëtimit në relacionin Beograd-Pejë.

Këto shpenzime ishin rimbursuar gjatë mandatit të saj si deputete, nga viti 2016 deri më 2020.

Megjithatë, sipas hulumtimit të CINS-it, gjatë asaj periudhe, Paunoviq jetonte me familjen e saj në Beograd, e jo në Kosovë.

Në një deklaratë për mediat më 16 korrik, ministrja tha se lidhur me shpenzimet e saj të udhëtimit, “po gënjehet në mënyrë kolektive”, por nuk dha sqarime për shumën e përfituar dhe as për mënyrën se si ishin krijuar këto shpenzime.

Në Partinë Socialiste që nga vitet ‘90

Snezhana Paunoviq ka lindur në Pejë.

Në biografinë e publikuar në faqen e Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), ajo thotë se është ekonomiste, por nuk specifikon se në cilin fakultet ka diplomuar.

Sipas biografisë, ajo është anëtare e SPS-së që nga viti 1992.

Ishte periudha e luftërave në territorin e atëhershëm të Republikës Federale të Jugosllavisë, kur si partinë, ashtu edhe shtetin, e udhëhiqte Sllobodan Millosheviq.

Më vonë, ai u akuzua nga Tribunali i Hagës, ndër të tjera, për krime kundër civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-1999.

Deklaratën për “spastrimin etnik” të shqiptarëve, Paunoviq e bëri për televizionin serb, Kurir, duke iu përgjigjur pyetjes se çfarë do të kishte bërë ndryshe në vitin 1998, po të ishte në vend të Millosheviqit.

“Ndoshta termi nuk ishte i duhuri. Ndoshta do të duhej të thosha dëbim, vetëm që të mos më kryqëzojnë nga të gjitha anët”, deklaroi Paunoviq disa ditë më vonë.Duke folur për jetën në Kosovë, Paunoviq tha se gjatë luftës ka qenë “viktimë e spastrimit etnik” nga shqiptarët.

Me këtë vlerësim “u pajtua” edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili, megjithatë, tha se kjo nuk e zbeh nevojën për “një paraqitje të përgjegjshme publike”.

“Vetë Snezhana është viktimë e spastrimit etnik, por kjo porosi duhet të jetë krejtësisht e qartë. Politika jonë është paqja, stabiliteti dhe nuk ka vend për spastrim etnik”, tha Vuçiq.

Paunoviq në biografinë e saj deklaron gjithashtu se, nga viti 2006 deri në vitin 2013, ka qenë koordinatore në komunat e Gjakovës dhe Deçanit në Kosovë.

Në këto poste ishte emëruar nga Qeveria e Serbisë.

Gjatë karrierës së saj ka mbajtur edhe funksione të tjera në Partinë Socialiste të Serbisë, ndërsa që nga viti 2024 është edhe nënkryetare e partisë.

JU REKOMANDOJMË

LVV thotë se s’ka unitet për Vjosa Osmanin presidente

“Përfitove nga mbështetja e saj” – Ish-këshilltarja e Vjosa Osmanit i reagon Albin Kurtit
21/07/2026 - 12:31

Për Lëvizjen Vetëvendosje, kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për presidente, Vjosa Osmani nuk është kandidate konsensuale për presidenten e ardhshme të vendit. Deputetja e zgjedhur e LVV-së,...

Më shumëDetails

“Nuk ishe vetëm vjehrra ime…”, nusja e Fatmire Shabanit me fjalë prekëse për të ndjerën

“Nuk ishe vetëm vjehrra ime…”, nusja e Fatmire Shabanit me fjalë prekëse për të ndjerën
21/07/2026 - 12:19

Nusja e Fatmire Shabanit, gruas që humbi jetën tragjikisht së bashku me familjarët e saj në aksidentin në rrugën Bllacë-Shkup, ka ndarë një mesazh prekës në kujtim të...

Më shumëDetails

Detaje të reja nga aksidenti tragjik në Komoran: Familja kosovare po kthehej nga Aeroporti i Tiranës

Detaje të reja nga aksidenti tragjik në Komoran: Familja kosovare po kthehej nga Aeroporti i Tiranës
21/07/2026 - 11:59

Një aksident i rëndë trafiku në orët e hershme të mëngjesit në rrugën nacionale Pejë–Prishtinë, në afërsi të Komoranit, ka përfunduar me vdekjen e 24-vjeçares Rea Raka dhe...

Më shumëDetails

E rëndë, një person bie nga një objekt në Prishtinë, humb jetën në vendin e ngjarjes

E rëndë, një person bie nga një objekt në Prishtinë, humb jetën në vendin e ngjarjes
21/07/2026 - 11:47

Një person ka vdekur pasi ra nga një lartësi e një objekti mbrëmë në Prishtinë, ka njoftuar Policia e Kosovës. Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për...

Më shumëDetails

Ministri Muja në Kovragë, e provoi pjeprin por i del bosh i dëmtuar nga breshri

Ministri Muja në Kovragë, e provoi pjeprin por i del bosh i dëmtuar nga breshri
21/07/2026 - 11:40

Ministri i Bujqësisë, Armend Muja ka vizituar fshatin Kovragë të Istogut, pas stuhisë më breshër që dëmtoi arat e kësaj ane. Në videon e bërë nga Indeksonline shihet...

Më shumëDetails

Hoti kritikon Qeverinë për koston e jetesës, e merr shembull kryeministrin e ri britanik: Duhet të ulen ngarkesat tatimore për familjet

Hoti: Kushtetuesja t’i zgjidhë problemet që i ka krijuar vetë- e drejta për të propozuar kandidatin për kryeparlamentar të kufizohet në kohë
21/07/2026 - 11:30

Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë për, siç ka thënë ai, mungesën e masave për zbutjen e kostos së jetesës,...

Më shumëDetails

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • Ish-kryetari Erden Atiq shpërthen në gjuhë vulgare pas vendimit të Albulena Haxhiut

    Ish-kryetari Erden Atiq shpërthen në gjuhë vulgare pas vendimit të Albulena Haxhiut

    164 Shpërndaje
    Shpërndaje 66 Tweet 41
  • Kjo është e reja që humbi jetën në aksidentin në Komoran

    89 Shpërndaje
    Shpërndaje 36 Tweet 22
  • “Nuk ishe vetëm vjehrra ime…”, nusja e Fatmire Shabanit me fjalë prekëse për të ndjerën

    88 Shpërndaje
    Shpërndaje 35 Tweet 22
  • “Me zemër të thyer…”, familjarët e tri viktimave dalin me njoftim pas aksidentit tragjik

    119 Shpërndaje
    Shpërndaje 48 Tweet 30
  • Aksidenti në Shkup, Ambasada e Kosovës angazhohet për kthimin e trupave të tre vushtriasve

    86 Shpërndaje
    Shpërndaje 34 Tweet 22

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë