Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka bërë thirrje për vigjilencë të shtuar ndaj të gjithë fermerëve që mbarështojnë derra, pas përkeqësimit të situatës epidemiologjike në vendet e rajonit, ku janë konfirmuar shpërthime të Mortajës Afrikane të Derrave (ASF).
Sipas AUV-së, megjithëse deri më tani nuk është regjistruar asnjë rast i kësaj sëmundjeje në Republikën e Kosovës, rreziku i përhapjes mbetet i lartë. Për këtë arsye, institucioni u kërkon fermerëve që të zbatojnë me përpikëri masat e biosigurisë, si mënyra më efektive për parandalimin e hyrjes dhe përhapjes së sëmundjes në fermat e vendit.
“Në mbështetje të Ligjit Nr. 2004/21 për Veterinarinë. AUV kërkon nga fermerët mbajtës të Derrave të aktivizojnë masat e përgjithshme për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjes Mortajës Afrikane e Derrave (ASF)”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, fermerëve u rekomandohet të mos përdorin mbetje ushqimore për ushqimin e derrave dhe të blejnë kafshë vetëm nga ferma të regjistruara, të pajisura me dokumentacion veterinar. AUV u bën thirrje që çdo rast i ngordhjes së papritur, temperaturës së lartë, mungesës së oreksit, dobësisë apo shenjave të tjera të pazakonshme tek derrat të raportohet menjëherë te veterineri ose në Zyrën Rajonale të Agjencisë.
Agjencia thekson se Mortaja Afrikane e Derrave nuk transmetohet te njerëzit dhe nuk paraqet rrezik për shëndetin publik. Megjithatë, bëhet fjalë për një sëmundje shumë ngjitëse për derrat, e cila mund të shkaktojë dëme të konsiderueshme ekonomike në sektorin e blegtorisë nëse nuk respektohen masat e biosigurisë.
AUV njofton se është në monitorim të vazhdueshëm të situatës epidemiologjike dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për mbrojtjen e shëndetit të kafshëve në Republikën e Kosovës.
Agjencia apelon për bashkëpunim dhe përgjegjësi nga ana e fermerëve, duke theksuar se parandalimi i hyrjes së Mortajës Afrikane të Derrave varet nga zbatimi rigoroz i masave të biosigurisë në çdo fermë.













