Një ankesë e datës 25 gusht 2026 aktivizoi Inspektoratin Farmaceutik të Ministrisë së Shëndetësisë që të realizojë inspektim në barnatorën “Riga Pharm 12” në Ferizaj ku u gjetën shkelje të shumta ligjore në veprimtarinë e kësaj barnatoreje.
Barnatorja në pronësi të Arta Zeqirit sipas raporteve zyrtare të Inspektoratit Farmaceutik derisa po operonte atë ditë, ishte duke shkelur jo një, por disa ligje që rregullojnë mënyrën e funksionimit të farmaceutikës në vendin tonë.
Gazeta Online Veriu.info ka siguruar dokumentet e inspektimit të Inspektoratit Farmaceutik si dhe gjobat e shqiptuara nga ky institucion ndaj pronares së Riga Pharm, Arta Zeqiri, si dhe farmacistes zëvendësuese.
Sipas raportit të inspektimit të datës 14 shtator 2026 Inspektorati konstaton se në momentin e inspektimit barnatorja “Riga Pharm 12” në Ferizaj ishte e hapur dhe punonte me mungesën e farmacistes përgjegjëse apo asaj zëvendësuese, dhe në vend të tyre shitjen e barnave e bënte një teknike e farmacisë në kundërshtim me ligjet e Kosovës. Sipas këtij raporti farmacistja përgjegjëse Gentiana Krasniqi nuk ishte e pranishme, por aty nuk gjendej as farmacistja zëvendësuese e cila sipas deklaratave kishte dalë për punë personale. Kësisoj një teknike e farmacisë po shiste barna, dhe kështu barnatorja “Riga Pharm 12” po shkelte ligjin Nr. 04/1,-190 per Produkte dhe pajisje Medicinale, i cili përcakton se: “Barnatorja duhet të këtë giatë githë orarit të punës farmacist/farmacistët e licencuar”; në kundërshtim me nenin 26, paragrafin 2 të Ligiit Nr. 04/1„-125 për Shëndetësi, i cili përcakton se “Barërat e përshkruara nga mjeku ose stomatologu mund te jepen vetëm nga ose në prezencën e farmacistit të licencuar; si dhe në kundërshtim me nenin 6, paragrafin 3 Udhëzimit Administrativ (Shendetesi) Nr- 11/2015 Për Qarkulluesië Farmaceutikë me Pakicë për Produkte dhe Pajisje Medicinale, i cili përcakton se: “Barnatorja mund funksionoj vetëm në prezencë të farmacistit.”
Bazuar në procesverbalin e inspektimit, gjendja faktike konstaton se barnatorja është gjetur hapur pa praninë e farmacistes pergiegjëse Mr.Ph. Gentiana Krasniqi
ose zëvendësues, ndërsa e pranishme ishte teknikja e farmacisë, Anesa Murati.



“Bazuar në procesverbalin e inspektimit, gjendja faktike konstaton se barnatorja është gjetur e hapur pa praninë e farmacistit përgjegjës Mr.Ph. Gentiana Krasniqi ose zavendësues, ndërsa e pranishme ishte teknikja e farmacisë, znj. Anesa Murati. Sipas deklaratës së teknikes së farmacisë, znj. Anesa Murati, ajo e ka hapur barnatoren në orën 08:00 të mëngjesit dhe se farmacistja zëvendësuese, Mr.Ph. Vjonë Sejdiu, ka ardhur pas 10 minutave. Ndërsa, bazuar në deklaratën e farmacistes, znj. Vjonë Sejdiu, ajo ka arritur në barnatore në orën 08:15 dhe se pas një ore e gjysmë është larguar për çështje personale. Sipas librit të shitjes së produkteve medicinale ditore të datës 31.08.2026, të prezantuar nga pala, dëshmohet qartë se teknikja e farmacisë, znj. Anesa Murati, ka dispenzuar produkte medicinale në kohën kur në barnatore nuk ka qenë i pranishëm as farmacisti përgjegjës e as ai zëvendësues” – thuhet në arsyetimin e vendimit për gjobë ndaj pronares Arta Zeqiri.


“Riga Pharm 12” e Arta Zeqirit përveç që po funksiononte pa farmacisten përgjegjëse dhe atë zëvendësuese, duke shitur barna vetëm me një teknike të farmacisë e cila nuk kishte paraqitur as licencë punë, në të njëjtën kohë kishte shitur barna pa recetë, që e bën shkeljen akoma më të rëndë.
Sipas dokumenteve kjo barnatore kishte shitur produkte medicinale pa recetë, e në mesin e tyre edhe Ozempic, një bar që duhet të jepet vetëm me recetë mjekësore dhe që përdoret për trajtim të diabetit dhe për humbje peshe. Sipas dokumenteve barnatorja nuk arriti të paraqes recetën e këtij bari që ishte shitur.

Por ky nuk ishte bari i vetëm i shitur pa recetë, pasi sipas dokumenteve Riga kishte shitur atë ditë edhe barna tjera pa recetë edhe Tobrin sol 5 ml një antibiotik për sy.
Inspektorët gjetën gjithashtu se për 22 pako të antibiotikut për sy Tobrin nuk kishte receta, dhe se farmacistja zëvendësuese shiti një barnë pa recetë para syve të tyre.
“Në bazë të gjetjeve të Inspektoratit Farmaceutik gjatë inspektimit të kryer më datë 31.08.2026, konstatohet se pala ka vepruar në kundërshtim të hapur me dispozitat ligjore në fuqi, duke dispenzuar produkte medicinale pa recetë: pala ka ofruar dhe lëshuar për qytetarët produktin medicinal Tobrin sol 5 ml (i shitur më datë 31.08.2026, ku nga 39 copë në stokun e prezantuar nga pala në sisitem elektornik dhe gjendjes fizike e cila rezultoi të jetë 17 copë), pala duhet ti ketë në barnatore 22 receta, si dhe produktin Ozempic 1 mg (i regjistruar në librin e shitjes të datës 31.08.2026), të dispenzuar pa recetën përkatëse të përshkruar nga mjeku, ku pala nuk arriti të prezentoj recetën e përshkruar nga mjeku për produktin medicinal Ozempik. Farmacistja zavnedësuese znj Vjonë Sejdiu ka dispensuar në prani të Inspektoratit Farmaceutik produktin medicinal Letrox 100 mg pa recetë të përshkruar nga mjeku. Për të gjitha të gjeturat e lartcekura, pala nuk ka ofruar recetat e dispensimit të produkteve medicinale, kështu konstatohet se pala ka vepruar në kundërshtim me: nenit 94 (paragrafin 4 të nën paragrafit 4.1) i cili përcakton: (ofron barëra për qytetarët ose banorët pa recetë sipas nenit 26 paragrafi 2 të ligjit) të Ligjit Nr. 04/L-125 për Shëndetësi, i plotësuar dhe ndryshuar me nenin 3 të Ligjit Nr. 08/L-043 Për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 04/L-125 për Shëndetësi (GZ, Nr.12, 11 maj 2022) dhe paragrafin 3 të nenit 10 të UA 01/2010 i cili përcakton “barnatoret private, barnatore qëndrore të QKMF-së në sektorin publik janë të obliguara që recetat e dispenzuara, t’i ruajn në afat prej tre (3) vitësh prej ditës së egzektumit”. – thuhet në arsyetimin e vendimit për gjobë ndaj farmacistet zëvendësuese Vjonë Sejdiu.



Për krejt këto shkelje të mëdha, potencialisht duke rrezikuar shëndetin e qytetarëve, duke shitur një teknike e farmacisë, madje duke shitur barna pa receta mjekësore, kanë bërë që pronarja e Riga Pharm, Arta Zeqiri të gjobitet si person përgjegjës me vetëm 2 mijë euro, e jo barnatorja si person juridik, dënimi i së cilës mund të ishte shumë më i lartë sipas ligjeve në fuqi.

Vendimi për gjobën ndaj Arta Zeqirit që mban numrin 10/AS-004-26 thotë në arsyetim se në momentin e inspektimit barnatorja ishte e hapur dhe funksiononte me teknike të farmacisë që nuk prezantoi licencë të punës, e pa farmcisten përgjegjëse apo atë zëvendësuese.

Pra Arta Zeqiri u gjobit si person përgjegjës, e në këtë rast nuk u morën masa ndaj barnatores si person juridik, ku ligji parasheh gjoba për këtë rast nga 500 deri në 20 mijë euro.
Neni 37 pika 1.4 i ligjit nr.08/L-047 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit 04/L-190 për produkte dhe pajisje medicinale thotë se Inspektorati farmaceutik me gjobë në shumë prej pesëqind (500) e deri në njëzet mijë (20,000) euro dënon personin juridik nëse dispenzimi dhe shitja me pakicë e produkteve medicinale bëhet në kundërshtim me nenin 14 të ligjit.
Pra, nëse barnatorja shet barna pa praninë e farmacistit atëherë si person juridik mund të gjobitet deri në 20 mijë euro.
Në këtë vendim ceket edhe Udhëzimi Administrativ nr11/2025 si bazë ligjore e vendimit, por në këtë udhëzim është një nen që përcakton se gjobat prej 2 mijë euro kur shqiptohen për rastet e shkeljeve të lartpërmendura, lënda pastaj dërgohet në gjykatë. Por një gjë e tillë nuk ceket në vendimin e Inspektoratit Farmaceutik ndaj pronares Arta Zeqiri.
Përveç kësaj, në vendim nuk thuhet askund se për këto shkelje është njoftuar Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), që përcaktohet me nenin 37.5 të ligjit nr.08/L-047 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit 04/L-190 për produkte dhe pajisje medicinale, por vetë figuron se i është dërguar një kopje e dokumentit.
Përveç Arta Zeqirit, pronare e Riga Pharm, gjobë prej 2 mijë euro mori edhe farmacistja zëvendësuese në barnatoren “Riga Pharm 12” Vjonë Sejdiu, dhe jo farmacistja përgjegjëse Gentiana Krasniqi.

Kurse teknikja e farmacisë që nuk paraqiti asnjë licencë pune dhe shiti barna në kundërshtim me ligjin, madje edhe pa recetë, nuk u gjobit fare, pra nuk u mor asnjë masë ndaj saj.
Pra, “Riga Pharm 12” punoi pa farmacist përgjegjës, shiti barna me teknike të farmacisë, madje edhe pa recetë, si Ozempic dhe antibiotik, por në fund mori gjithsej 4 mijë euro gjobë, 2 mijë pronarja Arta Zeqiri dhe 2 mijë farmacistja zëvendësuese.
Ky nuk është rasti i vetëm që kemi raportuar për shkelje nga Riga Pharm.
Gazeta Online Veriu.info ka dërguar pyetje në adresë të Riga Pharm për të dhënë qëndrimin e tyre por nuk ka marrë përgjigje lidhur me këtë rast./Veriu.info/
Inspektorati gjobit kompaninë “RIGA PHARM” për mashtrim me çmime në Prishtinë dhe Podujevë













