Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar lidhur me situatën e krijuar në Rrugën A, duke sqaruar se shtëpia e cila kishte filluar të shembej gjatë punimeve të ditëve të fundit është ndërtuar pa leje dhe ndodhet në pronë komunale.
Sipas Ramës, familjet që banonin në këtë objekt janë evakuuar para dy vitesh për shkak të punimeve në Rrugën A dhe rrezikut nga rrëshqitja e dheut.
Përmes një postimi në Facebook, ai theksoi se, pavarësisht faktit që objekti ishte ndërtuar në mënyrë të paligjshme dhe në pronë të Komunës, institucioni ka mbuluar dhe vazhdon të mbulojë shpenzimet e qirasë për familjet e evakuuara.
Rama u bëri thirrje personave të përfshirë që të mos hyjnë në zonën ku po zhvillohen punimet, duke theksuar se ajo mbetet e rrezikshme dhe është pronë komunale.
“Gjithashtu, pajtohem me personat publikë që po prononcohen për këtë çështje duke thënë se ‘Prona është e shenjtë’. E tillë është edhe kjo pronë, pronë komunale, në pronësi të Komunës dhe si e tillë meriton të njëjtin respekt dhe mbrojtje sipas ligjit!”, ka shkruar ai.













