Suedia ka njoftuar planet për të ndaluar përdorimin e të ashtuquajturave “kimikate të përjetshme” në produktet e konsumit që nga viti 2028.
“Ky është një fitore e madhe për shëndetin e njerëzve dhe për mjedisin suedez”, tha ministrja për Klimën dhe Mjedisin, Romina Pourmokhtari, në një deklaratë të publikuar më 23 korrik.
“PFAS nuk duhet të gjenden në veshje, kozmetikë, enë kuzhine dhe produkte të tjera të përditshme, kur ekzistojnë alternativa funksionale”, u shpreh ajo.
PFAS (substanca per- dhe polifluoroalkilike) janë një grup prej më shumë se 10 mijë kimikatesh sintetike që shpërbëhen shumë ngadalë në natyrë, duke marrë emrin “kimikate të përjetshme”. Ekspozimi afatgjatë ndaj tyre është lidhur me ndikime negative në shëndet, përfshirë rritjen e rrezikut për disa lloje kanceri.
Bashkimi Evropian pritet të paraqesë propozime ligjore për kufizimin e PFAS në vitin 2027, por miratimi dhe zbatimi i kufizimeve në të gjithë BE-në mund të zgjasë më shumë.
Qeveria suedeze tha se synon të ecë përpara me një ndalim kombëtar para se të miratohen rregullat në nivel evropian.
Vendimi i Suedisë vjen pas Francës, ku në vitin 2026 hyri në fuqi një ndalim i rëndësishëm për këto kimikate. Ligji francez ndalon shitjen, prodhimin ose importin e produkteve ku ekzistojnë alternativa ndaj PFAS.
Megjithatë, Franca ka disa përjashtime, përfshirë tekstilet që konsiderohen të nevojshme për përdorime thelbësore ose për arsye të sigurisë kombëtare, shkruan Euronews.













