Të premtën pasdite, kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurtin e vizitoi i Dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian, Peter Sorensen.
Në takimin me dyer të mbyllura, Sorenseni ngriti si temë gjyqtarët dhe prokurorët e dorëhequr serbë që po kërkojnë rikthimin në punë.
Sipas njoftimit, Kurti ka përsëritur në takim se është i hapur për përfshirjen e serbëve në gjyqësor dhe prokurori, por jo për rikthimin e tyre automatik në punë, duke insistuar se çdo vendim të bëhet sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.
Sorensen nuk është deklaruar deri më tani për këtë vizitë, por ardhja e tij në Prishtinë nuk përbën çudi për njohësin e çështjeve politike, Albinot Maloku.
“Bazën e ka tek marrëveshjet e ndodhura në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë dhe për të cilat ndërmjetësit e Bashkimit Evropian bëjnë kujdes dhe interes të shtuar. Në dukje të parë ky interes mund të duket i një anshëm por është diçka që është pjesë e marrëveshjeve”, ka thënë Albinot Maloku, Njohës i çështjeve politike.
Maloku konsideron që përmes vizitave të tilla synohet jetësimi i pikës së marrëveshjes për përfshirjen e komunitetit serb në institucione.
“Në sytë e Prishtinës zyrtare ky mund të duket si një presion, por kemi të bëjmë pastër me interesin e BE-së sa i përketë jetësimit të marrëveshjeve të ndodhura në Bruksel, që për pasojë Serbia bën një interes më të madh lobim sesa Kosova në jetësimin e marrëveshjeve”, ka thënë Albinot Maloku, Njohës i çështjeve politike.
Që pjesëmarrja e komunitetit serb në institucionet e Kosovës është në interes të vendit e thotë njohësi i tjetër i çështjeve politike, Ardian Zeqiri.
“Po pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në institucione publike është në interes të Kosovës sepse tregon se shteti dhe maturiteti institucional dhe shoqërorë është duke u avancuar. Dhe kjo gjithsesi se është lajm i mirë për Kosovën dhe hapje e dyerve për në Bashkimin Evropian”, ka thënë Ardian Zeqiri, njohës i çështjeve politike.
Zeqiri konsideron që ka pasur një koordinim politik rreth dekretimit të lirimit nga detyra të prokurorëve serbë.
“Si duket ka pas një kordinim të shpejt me ndryshimet që janë bërë në Këshillin Prokurorial të Kosoëvës së fundmi, me caktimin e kryesuesit të ri dhe kryeprokurorit. Unë mendoj se ka pasur një kordinim politik për procesimin e këtyre dorëheqjeve të cilat kanë qenë në njëfarë zone limbo”, ka thënë Ardian Zeqiri, njohës i çështjeve politike.
Ndërkohë në mbledhjen e qeverisë gjatë së premtes, kryeministri në detyrë Albin Kuti ka deklaruar se rikthimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë që u dorëhoqën nuk lejohet me ligj. /RTV Dukagjini/













