Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, ka bërë thirrje për organizimin e zgjedhjeve të brendshme në parti, duke vlerësuar se ky proces është i domosdoshëm për ringritjen dhe forcimin e subjektit politik pas rezultateve të fundit zgjedhore.
Përmes një reagimi publik, Krasniqi ka theksuar se LDK-së i duhet një kuvend i jashtëzakonshëm që, sipas saj, duhet të shënojë fillimin e një procesi të ri demokratik, me qëllim rikthimin e besimit të anëtarësisë dhe përgatitjen e partisë për sfidat e ardhshme.
Ajo ka vlerësuar se nuk mjafton ndryshimi i retorikës, por se është koha për të ndryshuar mënyrën e funksionimit të partisë, procesin e vendimmarrjes dhe mënyrën e ndërtimit të besimit brenda saj.
Sipas Krasniqit, LDK-ja ka nevojë për zgjedhje të lira, të ndershme dhe gjithëpërfshirëse, ku vendimin ta marrë anëtarësia dhe ku të vlerësohen puna, kontributi, integriteti dhe besimi i fituar ndër vite.













