Një incident i rëndë ka ndodhur sot në fshatin Pantinë ku një person gjuajti me armë zjarri në ajër pasi punëtorët e KRU “Mitrovica” e shkyçën nga rrjeti i ujësjellësit.
Për këtë rast raportoi ekskluzivisht sot Veriu.info duke sjellë detaje të ngjarjes.
Për ngjarjen ka reaguar edhe KRU “Mitrovica” përmes një komunikate publike duke thënë se ndaj punëtorëve të ndërmarrjes u përdor arma e zjarrit.
“Gjatë ndërmarrjes së veprimeve për çkyçjen nga rrjeti, punonjësit tanë janë përballur me sjellje të dhunshme, ku, sipas informacioneve të deritanishme, ndaj tyre është përdorur armë zjarri.” – thuhet në komunikatë.
Komunikata e plotë:
REAGIM PUBLIK
Kompania Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica” Sh.A. shpreh shqetësimin e thellë lidhur me incidentin e rëndë të ndodhur gjatë realizimit të detyrave zyrtare nga punonjësit e saj në terren.
Konsumatori është furnizuar rregullisht me shërbimin e ujësjellësit, por nuk i ka përmbushur obligimet financiare ndaj Kompanisë. Pavarësisht njoftimeve dhe paralajmërimeve të vazhdueshme, si dhe mundësisë së ofruar për pagesën apo arritjen e një marrëveshjeje për shlyerjen e borxhit, obligimet nuk janë përmbushur.
Gjatë ndërmarrjes së veprimeve për çkyçjen nga rrjeti, punonjësit tanë janë përballur me sjellje të dhunshme, ku, sipas informacioneve të deritanishme, ndaj tyre është përdorur armë zjarri.
Fatmirësisht, incidenti ka përfunduar pa pasoja në njerëz.
KRU “Mitrovica” Sh.A. dënon fuqishëm çdo formë të dhunës, kërcënimit dhe pengimit të punonjësve gjatë ushtrimit të detyrave të tyre zyrtare. Punonjësit tanë veprojnë në zbatim të përgjegjësive të tyre dhe meritojnë siguri dhe mbrojtje të plotë gjatë punës.
I bëjmë thirrje Policisë së Kosovës, Prokurorisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera kompetente që rastin ta trajtojnë me seriozitetin më të lartë, të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme ligjore dhe të sigurojnë përgjegjësinë e plotë të personave të përfshirë.
Njëkohësisht, u bëjmë thirrje të gjithë konsumatorëve që obligimet ndaj Kompanisë t’i përmbushin me kohë dhe çdo çështje lidhur me borxhet, pagesat apo shërbimet ta adresojnë përmes rrugëve institucionale dhe ligjore.
Dhuna ndaj punonjësve që kryejnë detyrën e tyre nuk mund dhe nuk do të tolerohet.













