Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ismet Beqiri, ka deklaruar se kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, duhet të respektojë, sipas tij, traditën e LDK-së dhe të marrë përgjegjësi për rezultatet e dobëta në zgjedhje.
Beqiri ka thënë se brenda LDK-së ekziston një rregull i pashkruar, sipas të cilit drejtuesit që nuk arrijnë rezultate të mira zgjedhore duhet t’ia lëshojnë vendin një udhëheqësi tjetër.
“Kjo LDK ka krijuar një rregull: kush i humb zgjedhjet ose nuk arrin rezultat të mirë, duhet t’ia lëshojë rrugën tjetrit”, ka deklaruar Beqiri në “RTV21”.
Ai ka përmendur edhe presidenten Vjosa Osmani, duke rikujtuar se ajo dikur kishte qenë kandidate e LDK-së për presidente, por më pas ishte larguar nga kjo parti.
Deklaratat e Beqirit vijnë në një kohë kur brenda LDK-së po zhvillohet debat për përgjegjësinë e drejtimit të partisë dhe rezultatet e saj në proceset zgjedhore.












