Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare në detyrë, Andin Hoti, ka bërë të ditur se nga 1 shtatori kantierët e ndërtimit do të inspektohen me dronë.
Hoti me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ ka thënë se kjo po bëhet me qëllim të forcimit të mbikëqyrjes inspektuese, shkruan Insajderi.
“Me qëllim të forcimit të mbikëqyrjes inspektuese, kam marrë vendim që, nga 1 shtatori, Inspektorati Qendror i Punës të kalojë në inspektime plotësisht digjitale. Kjo do të mundësojë dokumentim në kohë reale, rritje të transparencës, llogaridhënie më të madhe dhe monitorim më efikas të punës në terren”, ka thënë ai.
“Njëkohësisht, do të fillojë edhe përdorimi i teknologjisë së dronëve, si mjet mbështetës për inspektimin e kantiereve dhe vendeve të punës me rrezik të shtuar, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Po ashtu, do të iniciojmë forcimin e koordinimit ndërinstitucional, në mënyrë që institucionet përgjegjëse të shkëmbejnë informacion në kohë reale dhe mbikëqyrja të jetë sa më parandaluese, e jo vetëm reaguese”, përmbyll shkrimin ministri Hoti.













