Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, ka deklaruar se me homologun e tij shqiptar, Ferit Hoxha, janë pajtuar që Serbia të hapë konsullatë në Shkodër, ndërsa Shqipëria në Bujanoc.
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, ka kritikuar këtë duke thënë se krahasimi mes Shkodrës dhe Bujanocit është më “shumë se një ironi”.
Ai tha se konsullata shqiptare në Luginën e Preshevës “shmang” Kosovën, ndërsa ajo serbe në Shkodër ka Malin e Zi në mes.
“Për Shqipërinë duket se konsullata është trajtuar si shprehje e interesit standard! Për Serbinë, që nuk njeh sovranitetin e Kosovës dhe diskuton identitetin e Malit të Zi, është diçka tjetër! Serbia në Shkodër ka marrë më shumë se një konsullatë!”, ka shkruar ndër të tjera Majko.
Postimi i plotë:
Konsullatë serbe në Shkodër?!…
Në Shkodër konsullata serbe do të ketë më rëndësi sesa vetë minoriteti!
Kundrejt hapjes së konsullatës serbe në Shkodër do të hapet konsullata shqiptare në Luginën e Preshevës! Krahasimi është më shumë se një ironi…!
Lugina e Preshevës është një vazhdimësi territoriale e banuar nga shqiptarët e mbetur në sovranitetin e Serbisë!
Konsullata në Luginën e Preshevës “shmang” Kosovën! Në Shkodër, konsullata serbe ka Malin e Zi në mes!…
Për Shqipërinë duket se konsullata është trajtuar si shprehje e interesit standard! Për Serbinë, që nuk njeh sovranitetin e Kosovës dhe diskuton identitetin e Malit të Zi, është diçka tjetër!
Serbia në Shkodër ka marrë më shumë se një konsullatë!













