Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar Agron Limanin në pozitën e Kryesuesit të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, duke zëvendësuar në këtë detyrë ish-ministrin Andin Hoti.
Limani është një aktivist shumëvjeçar i angazhuar për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Ai është gjithashtu bashkautor i monografisë “Fshati i Vrarë”, që trajton masakrën e Krushës së Vogël, si dhe familjar i disa personave të zhdukur gjatë luftës.
Me rastin e emërimit, Kurti theksoi se institucionet e Kosovës mbeten të përkushtuara në përpjekjet për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe i bëri thirrje Serbisë që të hapë arkivat ushtarake, në përputhje me Deklaratën e 2 majit 2023 për personat e zhdukur me dhunë.













