Pika Kufitare e Morinit po përballet me një fluks të lartë qytetarësh dhe automjetesh në ditët e para të muajit gusht. Jo vetëm gjatë fundjavave, por edhe në ditë të zakonshme, si kjo e martë, në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës janë krijuar kolona të gjata mjetesh me destinacion bregdetin shqiptar.
Rritja e qarkullimit lidhet kryesisht me emigrantët kosovarë që janë kthyer për pushime në vendlindje dhe, së bashku me familjet e tyre, zgjedhin të kalojnë një pjesë të pushimeve verore në bregdetin e Shqipërisë.
Për të përballuar fluksin dhe për të shmangur pritjet e gjata, Policia Kufitare ka hapur sportele shtesë dhe po zbaton procedurën e thjeshtuar të kalimit për automjetet me targa të Shqipërisë dhe Kosovës, duke mundësuar kalim më të shpejtë në kufi.
Megjithatë, vonesat vazhdojnë të krijohen për automjetet me targa të huaja, të cilat i nënshtrohen procedurave të plota të kontrollit kufitar. Këto mjete u përkasin kryesisht emigrantëve që udhëtojnë mes vendeve të Evropës dhe Kosovës, duke shtuar ndjeshëm ngarkesën në pikën kufitare të Morinit gjatë sezonit turistik. /ABCnews













