Major Krenar Lahu, oficer i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ka diplomuar me sukses në Kursin e Komandës dhe Shtabit në Akademinë e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, një nga institucionet më prestigjioze të arsimit ushtarak profesional në nivel botëror.
Programi zhvillohet në kuadër të Joint Services Command and Staff College dhe synon përgatitjen e oficerëve për detyra të nivelit të lartë komandues dhe të shtabit. Gjatë kursit, pjesëmarrësit trajnohen në fusha kyçe si planifikimi operacional, udhëheqja, strategjia, vendimmarrja dhe bashkëpunimi shumëkombësh.
Diplomimi i majorit Lahu përfaqëson një arritje të rëndësishme profesionale dhe dëshmon angazhimin e vazhdueshëm të FSK-së për ngritjen e kapaciteteve të personelit të saj përmes programeve prestigjioze ndërkombëtare të edukimit ushtarak.
Ky sukses njëherësh forcon edhe bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar në fushën e mbrojtjes dhe zhvillimit profesional të kuadrove ushtarake.













