Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar për ndërprerjen e seancës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, në prag të përfundimit të afatit kushtetues për konstituimin e tij.
Sipas IKD ndërprerja e seancës cenon Kushtetutën e Kosovës.
“Megjithatë, mungesa e një marrëveshjeje politike nuk mund të shndërrohet në arsye për bllokimin e Kuvendit dhe cenimin e rendit kushtetues.
Kërkesa e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për kohë shtesë për bisedime me partitë parlamentare dhe vendimi i kryesuesit Avni Dehari për ndërprerjen e seancës nuk kanë mbështetje në natyrën dhe qëllimin e seancës konstituive. Sipas nenit 9, paragrafit 3, të Rregullores së Kuvendit, në seancën konstituive nuk zhvillohet debat. Rrjedhimisht, kjo seancë nuk mund të përdoret për diskutime politike, kërkesa jashtë rendit të përcaktuar apo kushtëzimin e konstituimit me marrëveshje për çështje të tjera.
Zgjedhja e Presidentit është çështje me rëndësi të jashtëzakonshme kushtetuese, por ajo përbën proces të veçantë dhe nuk mund të vendoset si parakusht për konstituimin e Kuvendit. Kuvendi duhet së pari të konstituohet sipas Kushtetutës, Rregullores dhe aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese. Negociatat politike mund dhe duhet të zhvillohen jashtë seancës, pa e marrë peng institucionin më të lartë përfaqësues të Republikës.”
IKD deklaroi se Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar qartë detyrimin e deputetëve që Kuvendi të konstituohet brenda afatit prej tridhjetë ditësh.
“Ky nuk është afat orientues dhe as çështje e vullnetit politik, por detyrim kushtetues që duhet respektuar nga secili deputet dhe nga organet që drejtojnë seancën. Fakti se Kushtetuta dhe aktgjykimet e Gjykatës nuk kanë përcaktuar shprehimisht pasojën juridike për moskonstituimin brenda afatit nuk krijon leje për shkeljen e tij.
Mungesa e një sanksioni të përcaktuar nuk e bën të ligjshme shkeljen e Kushtetutës. Përkundrazi, përpjekja për ta shfrytëzuar këtë zbrazëti si hapësirë për zvarritje do të përbënte veprim kundërkushtetues, cenim të sundimit të ligjit dhe vazhdim të një praktike të rrezikshme të bllokimit të institucioneve. Kushtetuta nuk zbatohet vetëm kur parashikon ndëshkim, ajo duhet të respektohet sepse është akti më i lartë juridik i Republikës.”
Prandaj, ky institut ka kërkuar vazhdimin e menjëhershëm të seancës dhe përfundimin e konstituimit të Kuvendit brenda afatit kushtetues, pa debate, pa improvizime procedurale dhe pa kushte politike.













