Kreu i LVV’së, Albin Kurti, i ka shkruar një letër kryetarit të Aleancës, Aridan Gjini, me të cilën e ka ftuar për një takim në Qeveri sot pasdite në orën 16:00.
Kurti në komunikimin e siguruar nga Gazeta Express, gjithashtu ka shprehur gatishmëri që të udhëtojë në mbrëmje drejt Gjakovës për t’u takuar.
Sipas kreut të LVV’së për presidentin duhet gjithpërfshirje e partive politike.
“ I nderuari Kryetar i Aleancës, Ardian Gjini Ju uroj të gjithë deputetëve të Aleancës dhënien e betimit dje për përfaqësim me dinjitet të popullit, për kushtetutshmëri e ligjshmëri, në shërbim të interesit publik dhe të drejtave të njeriut. Uroj që punët parlamentare t’ju shkojnë mbarë, dhe sfidat politike t’i kaloni sa më lehtë. Mund të llogarisni çdo herë në komunikim të rregullt dhe bashkëpunim kolegial me ne për të mirën e Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve tanë. Konstituimi i institucioneve të legjislaturës së 11-të (zgjedhja e Kryetarit dhe e Kryesisë së Kuvendit, zgjedhja e Qeverisë dhe e Presidentit) kërkon bashkëveprim e bashkërendim të të gjithë neve. Pluralizmi politik në demokraci është konkurrencë me bashkëpunim. Andaj ju ftoj që të takohemi sot pasdite në ora 16:00 në Zyren e Kryeministrit. Po ashtu, në mbrëmje mund të vij unë në Gjakovë. Me shpresë në përgjigje pozitive ju përshëndes. Me nderime, Albin Kurti”, ka shkruar Kurti në letrën e parë nga Gazeta Express.
Megjithatë kreu i Aleancës ia ka refuzuar kërkesën për takim duke i thënë se rruga që Kurti po e ndjek është e gabuar.
“I nderuar kryetar i Vetvendosjes Albin Kurti, Qëndrimet e Aleancës dhe të miat në lidhje me konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Presidentit janë bërë të qarta më shumë se një herë. Jam i bindur se ju i dini ato, prandaj nuk shoh asnjë nevojë që të takohemi për këtë çështje. Edhe pse pajtohem se demokracia kërkon bashkëpunim, jam thellësisht i bindur se rruga që ju po e ndiqni është e gabuar dhe e dëmshme për Kosovën. Shpresoj që këtë ta kuptoni edhe vetë. P.S. këtë mesazh po e kuptoj si tendencë për të rradhitur ftesa për takim dhe për ta konsumuar hapësirën për fajësim për mosbashkëpunim. Me respekt, Ardian Gjini”, ka shkruar Gjini.













