Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës, duke kritikuar ashpër situatën e krijuar dhe duke rikujtuar deklaratat e mëhershme të Albin Kurtit për shkeljet kushtetuese.
Lladrovci ka rikthyer në vëmendje një deklaratë të Kurtit nga koha kur ishte në opozitë, në të cilën ai kishte thënë se “shkelësit e ligjit janë kriminelë, ndërsa shkelësit e Kushtetutës janë superkriminelë”.
Sipas tij, sot Kurti dhe partia e tij janë në një situatë të ngjashme me atë që dikur e kritikonin.
“Shkelësit e ligjit janë kriminelë, shkelësit e Kushtetutës janë superkriminelë, është deklaratë e opozitarit Kurti të para disa viteve, kur e komentonte qeverisjen e asaj kohe. Sot, po ai opozitari i djeshëm, me të dyja këmbët e shkeli Kushtetutën bashkë me partinë e vet dhe, sipas pamjeve, nuk po ndjehet ‘superkriminel’”, ka shkruar Lladrovci.
Ai ka vlerësuar se vendi, sipas tij, ka hyrë në një situatë të paprecedentë politike dhe ka kërkuar që veprimet politike të zhvillohen brenda rregullave kushtetuese.
“Veprimet politike janë të arsyetuara derisa janë brenda rregullave dhe normave”, ka theksuar ai.
Lladrovci është ndalur edhe te afati për konstituimin e Kuvendit, duke argumentuar se tejkalimi i këtij afati përbën shkelje kushtetuese.
“Situata është qartësuar rreth afatit të konstituimit të Kuvendit dhe tejkalimi i të cilit është shkelje e pastër dhe e qartë kushtetuese”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, çështja duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese për të përcaktuar jo vetëm afatin për konstituimin e Kuvendit, por edhe pasojat dhe sanksionet në rast të mosrespektimit të tij.
“Seanca konstituive përbën çështje kushtetuese, rruga e vetme është që dhjetë e më tepër deputetë t’i mbledhin nënshkrimet e ta dërgojnë këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese që, përveç afatit, edhe cilat janë sanksionet, apo cila është pasoja kur nuk zbatohet afati kushtetues”, ka thënë Lladrovci.
Në fund, ai ka komentuar edhe veprimin e deputetes së Aleancës, Time Kadrijaj gjatë zhvillimeve në Kuvend, transmeton Klankosova.tv
“Vezët e Time Kadriajt, përveç si veprim demokratik, janë rikujtesë për një rrugë e cila partisë në pushtet i solli fryte të paimagjinueshme politike, pse duhet të habitemi!”, ka përfunduar Lladrovci, transmeton Klankosova.tv














