Juan Cuadrado mohon se e ka “tradhtuar” Juventusin duke kaluar te rivali Inter si lojtar i lirë: “Nuk doja të largohesha, ata e thyen premtimin”.
Reprezentuesi i Kolumbisë mbërriti fillimisht në futbollin italian tek Udinese në vitin 2009, ndërsa më pas luajti edhe për Lecce, Fiorentina dhe Chelsea, përpara se t’i bashkohej Juventusit në vitin 2015.
Kur kontrata e tij u lejua të përfundonte në verën e vitit 2023, ai befasoi shumë njerëz duke vendosur të kalonte te rivali i përbetuar Inter.
“Isha lojtar i lirë pas tetë vitesh dhe shumë njerëz e konsideruan tradhti kur kalova te Interi”, tha Cuadrado për “Dsports”.
“Megjithatë, kur je pa klub, duhet të kërkosh alternativa të tjera. Për më tepër, unë nuk doja të largohesha nga Juventusi. Ata më kishin ofruar një kontratë të re dhe më pas e thyen premtimin”, shtoi ai.
Eksperienca e tij në “San Siro” nuk ishte veçanërisht e suksesshme dhe më pas ai luajti për Atalantën, ndërsa sezonin e kaluar përfaqësoi Pisan.
Tani Cuadrado është sërish lojtar i lirë, por klubi që ai ndien se përfaqëson më shumë karrierën e tij është Juventusi.
“Unë isha kapiten, shkrova historinë e Juventusit me më shumë se 300 ndeshje, një shifër që shumë lojtarë italianë nuk kanë arritur ta kenë. E shikoj këtë dhe ndihem krenar”, tha ai.
Megjithatë, ai nuk ka ndërmend t’i japë fund karrierës së tij ende dhe konfirmoi se në tavolinë ka disa oferta.
“Kam marrë oferta nga MLS, Liga Meksikane dhe një ofertë nga Evropa, por po presim të shohim se çfarë do të ndodhë. Kur fola me gruan time për t’u kthyer për të luajtur në Kolumbi, ajo nuk ishte plotësisht dakord, kështu që duhet të mendoj edhe për atë që është më e mira për familjen time”, e mbylli ai.












