Edhe televizioni shtetëror i Kinës ka raportuar për incidentin e djeshëm në Kuvendin e Kosovës, duke publikuar një video.
Një deputete e opozitës hodhi vezë ndaj kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, në Kuvend të shtunën, pasi ai kërkoi më shumë kohë për të negociuar marrëveshjet politike përpara se të propozonte një kandidat për kryetar të Kuvendit.
Mosmarrëveshja erdhi pas zgjedhjeve të parakohshme të qershorit në Kosovë, të cilat i lanë partitë të ndara dhe vonuan formimin e qeverisë së re. Sipas procedurës, Kuvendi duhet fillimisht ta zgjedhë kryetarin përpara se të vazhdojë me formimin e qeverisë, shkruan CGTN.
Kurti kishte zhvilluar bisedime me partitë opozitare për marrëveshje më të gjera politike, përfshirë zgjedhjen e një presidenti të ri, dhe kërkoi shtyrjen e votimit parlamentar për pozitën e kryetarit të Kuvendit deri në zhvillimin e diskutimeve të mëtejshme, shkruan media e kontrolluar nga shteti në Kinë.
Kur deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, bërtiti “Turp për ju!” dhe i hodhi vezë, Kurti qëndroi i qetë, duke thënë se nëse dialogu kishte si kosto goditjen me vezë, ai ishte i gatshëm ta paguante atë çmim, shkruan CGTN.













